Gjimnazi “Sami Frashëri” është gati, Veliaj: Është shkolla e së ardhmes
Gjimnazi “Sami Frashëri” është gati për vitin e ri shkollor në shtator. Një shkollë më e madhe se ajo që u dëmtua rëndë nga tërmeti, me një arkitekturë unike dhe me mjedise cilësore për zhvillimin e mësimit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka ndjekur hap pas hapi rindërtimin e shkollës, zhvilloi edhe një inspektim të fundit mbi ecurinë e punimeve, për të cilën tha se është qershia mbi tortë e projektit për ndërtimin e mbi 40 shkollave në Tiranë.
“Do jetë shkolla më e madhe dhe më e bukur në Republikën e Shqipërisë. “Sami Frashëri” u dëmtua nga tërmeti dhe fatkeqësisht u politizua. U them kolegëve të mi në anën tjetër të politikës: Mos vini bast kundër progresit, mos vini bast kundër së ardhmes, sepse është bast i humbur! Kush kacavirret për të bllokuar njëherë këndin e lojërave, pastaj një shkollë, e mandej një shesh, Pazarin, Kalanë e Liqenin, është i destinuar të humbë sepse qyteti është i destinuar të fitojë. Kjo shkollë ka prodhuar gjysmën e qeverisë sonë, por ka prodhuar edhe më shumë se gjysmën e opozitës sonë. Të zihemi për shkolla në vitin 2022, duke bllokuar punët publike, është një stil i vjetër i shëmtuar”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se nuk është aspak e hijshme të bllokohen punët e mira dhe cilësore. “Të zihemi për shkolla në vitin 2022 është stili që mbajmë mend nga “Samiu” i viteve ‘96-’97-’98. Por, ajo ishte një Shqipëri tjetër, e cila jetonte me krizën e piramidave, që vuante nga izolimi i thellë. Këtë s’mund ta themi në vitin 2022. Vetëm kjo shkollë ka një kontribut të jashtëzakonshëm për emancipimin e vendit, përfshirë të gjithë krahët e politikës. Ndaj, është shumë e rëndësishme të ecim përpara, të sigurohemi që brezi i ri mëson nga gabimet e brezit tonë dhe brezit më përpara, për të mos penguar njëri-tjetrin dhe për të mos penguar progresin e qytetit dhe vendit tonë”, nënvizoi ai.
Kreu i Bashkisë tha se kjo do të jetë shkolla e së ardhmes, me kapacitet të shtuar, e që do i rrisë akoma më tepër vlerën zonës përreth. Veliaj dha lajmin e mirë për maturantët e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët do të zhvillojnë ceremoninë e diplomimit në mjediset e e reja të shkollës së transformuar.