Gjinushi në Lushnje: PSD s’ka bërë kurrë pazar me mandatet dhe votat majta
Partia Socialdemokrate ka hapur fushatën e saj në qytetin e Lushnjes në një miting të madh, ku kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi, ka kërkuar votën për listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.
PSD në Lushnje kandidon vetëm për këshillin me listën e saj ndërsa mbështet si kandidat për bashkinë kandidatin e PS-së.
Duke folur para simpatizantëve të PSD-së Gjinushi tha se “ PSD ka qenë gjithmonë e votuar në këto zona dhe kemi qenë gjithmonë të përfaqësuar në komunat e Lushnjes në saj të votës tuaj”.
“PSD paraqitet më vete si subjekt për të përfaqësuar më mirë interesat e së majtës shqiptare. Mund ta thotë me krenatri që është partia që nuk i ka tradhëtuar kurrë interesat e majta, që s’ka bërë kurrë pazar me mandatet e fituara nga e majta dhe kjo ka shumë rëndësi për kushtetet e Shqipërisë sepse Berisha në vitin 2005-2009 ka qeverisur me vota të majta sipas disa pazareve që kanë bërë disa ish-parti duke filluar nga Agrarja deri tek ndonjë parti tjetër.
Që të kuptojmë qartë se qëllimi i daljes më vete si subjekt i PSD-së nuk ka objektiv humbjen e së majtës, por përkundrazi fitoren e saj.
Kjo gjë tregohet dhe me faktin se nuk rendëm të kandidonim në gjithë bashkitë me kandidatët tanë, por kemi vendosur vetëm në 9 bashki, atje ku ne vlerësuam se kandidatët tanë janë më të mirë dhe përfaqësojnë më mirë të majtën e vërtetë, të majtën që ndërtuam të gjithë bashkë”, tha Gjinushi ndër të tjera.