Gjinushi: PSD e vetme në zgjedhje
Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi zyrtarizoi sot daljen vetëm në këto zgjedhje.
Në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” e Eni Vasilit, ai tha se krijimi i një poli të së majtës ishte i pamundur, për shkak se një gjë të tillë e vështirëson kodi.
“Të garosh i vetëm është zgjedhje politike dhe një taktikë e kondicionuar nga rrethanat. Ne jemi pjesë e fitores së madhe, por nuk u përfshimë në bashkëqeverisje.
Gjatë kësaj kohe nuk u zbatuan marrëveshjet e mëparshme.
Ne do të kërkojmë votën si PSD. Vlerësojmë se ka shumë të majtë që na kanë mbështetur dhe ka shumë të zhgënjyer nga problemet e tanishme. Mendojnë se më mirë të vijnë votat tek ne, se tek opozita”, tha Gjinushi, ndërsa shton se :“Ka të mirën dhe të keqen e saj. Ka një pragmatizëm se këshilltari merret më lehtë, por në të vërtetë vota merret më vështirë”.
Gjinushi shprehet i zhgënjyer edhe me Milon.
“Më la në baltë apo nuk doli nga balta kjo është punë taktikash. Mendoj se ishte krejt e nevojshme të krijohej një pol, por për një forcë më vetë, rëndësi ka sa do të gjejë mbështetje. Këtu është bërë e mundur që me anë taktikash në Kod të vështirësohen krijimet e poleve. Kodi është absurd pasi kërkon që të mblidhen firma”, theksoi Gjinushi.