Gjinushi: Rama si Berisha, Kolegji Zgjedhor në gjunjë para PS-LSI

 

Kolegji Zgjedhor i ka hequr dy kandidatët për bashkitë e Prrenjasit dhe Malësisë së Madhe PSD duke i dhënë një fitore Partisë Socialiste.

Kjo ka shkaktuar shpërthimin e Skënder Gjinushit i cili akuzon Kolegjin Zgjedhor se ka rënë në gjunjë para Ramës.

Vendimi i Kolegjit duket se ka zgjeruar edhe më largësinë midis Ramës dhe Gjinushit.

Dikur aleatë të pandashëm sot janë kthyer në armiq të përbetuar.

Gjinushi e konsideron vendimin e Kolegjit Zgjedhor si shkelje të Kushtetutës.

“Partia Social Demokrate e Shqipërisë konstaton me keqardhje se institucionet e pavarura që monitorojnë zbatimin e ligjit për zgjedhjet kanë shkelur vetë me dy këmbë ligjin dhe Kushtetutën duke mohuar të drejtën e kandidimit të kandidatëve tanë. Me vendimin e marrë më dt. 29 Maj 2015, Kolegji Zgjedhor është ulur në gjunjë para PS-së dhe LSI-së, ka shkelur Kushtetutën duke mohuar të drejtën për kandidim të dy kandidatëve tanë, përkatësisht Ardian Hysës në Malësi të Madhe dhe Artur Topit në Përrenjas”, tha Gjinushi.

Më tej Gjinushi e krahason Ramën me Berishën.

“Partia Socialiste bashkë me ne luftuam dy vjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa kujtuar luftën dhe përpjekjet në zgjedhjet e ‘96-ës, pa kujtuar 8 majin apo ‘97-ën, kjo bën të njëjtat gjëra që bënte PD-ja. Kur PD-ja i bëri kundër Ramës në maj në Tiranë, ne kemi qenë mbrojtësit kryesorë. Kolegji dhe KQZ janë sjellë ndaj nesh siç u soll Ristani ndaj PS-së. Ndërsa keqpërdoren institucionet si më parë, atëherë nuk ka rilindje”, përfundoi Gjinushi.

 

SHKARKO APP