Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin e ndarjes së mandateve sipas “herësit”, reagon Astrit Patozi: Vendim i duhur edhe pse me vonesë
Politikë E Mërkurë, 30 Qershor 2021 15:59
Astrit Patozi ka reaguar pas bërjes publike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit.
Teksa i përgëzon për këtë vendim, Patozi shkruan përmes një postimi në rrjetet sociale se është në pritje të zbardhjes së vendimit dhe shpreson që të mos ketë surpriza të papritura.
Më tej Patozi deklaron se pret që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 përqind të hapura.
Reagimi i plotë i Astrit Patozit:
VENDIM I DUHUR EDHE PSE I VONUAR
E përshëndesim vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e herësit të Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta.
Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falenderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.
E kemi ditur që në fillim se nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.
KOHA JONË SONDAZH

