Gjosha-Bushati: Nuk ka rrezik për kthimin e vizave

Nuk ka asnjë rrezik për rikthim të regjimit të vizave për shqiptarët. Deklarata vjen nga ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ai i Jashtëm Ditmir Bushati.

Dy ministrat reaguan një ditë pasi qindra qytetarë të mashtruar do të udhëtonin drejt Gjermanisë në kërkim të azilit, situatë që shkaktoi një reagim të institucioneve dhe bllokimin e pasagjerëve në portin e Vlorës nga ku do të niseshin drejt Italisë dhe më pas drejt Gjermanisë.

Ministrat Gjosha dhe Bushati situatën e krijuar në Vlorë e konsiderojnë thjesht një skemë mashtrimi, të cilës autoritetet i dhanë përgjigje të menjëhershme.

“Kam përshtypjen që jemi përballë një mashtrimi dhe skemat e mashtrimit si të tilla duhet të dënohen dhe ndëshkohen ligjërisht.

Nga ana tjetër do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mos kemi spekulime me këtë çështje.

Pasi në rast se do tu referohemi vlerësimeve të BE për Shqipërinë të miratuara në Këshillin e Ministrave të BE shprehet qartë lufta që ka bërë Shqipëria ndaj parandalimit të këtij fenomeni”, u shpreh Bushati.

Ndërsa ministrja Gjosha ka vlerësuar punën e bërë nga autoritetet për të ndaluar personat që do të udhëtonin drejt Gjermanisë.

“Për mua në radhë të parë është shumë e rëndëishme e gjithë puna që ka bërë policia kufitare për të ndaluar këta persona drejt Gjermanisë, pasi ishte një numër i madh i tyre që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria për të kërkuar azil në Gjermani.

E rëndësishme është të jepet njëherë e mirë mesazhi se lëvizja e lirë dhe hyrja me vizën Shengen është e pamundur tu sigurojë shqiptarëve azil në BE dhe është e pamundur aq më tepër kur ata kërkojnë një zgjidhje ekonomike.

Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithëve se kjo nuk është zgjidhja e duhur, nuk e ndihmon vendin, por mbi të gjitha nuk ndihmon ata personalisht”, tha Gjosha. 

SHKARKO APP