Gjosha: Hapja e negociatave me BE-në, na duhen ekspertët më të mirë
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha thirri sot në një takim Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Europian. Në fokus të këtij takimi ishte Monitorimi i Planit Kombëtar për Integrimin Europian, përditësimi i tij dhe angazhimi maksimal që kërkohet nga ministritë dhe institucionet e tjera për të finalizuar punën e akteve nënligjore që janë në proces përgatitje.
“Jemi në prag të raportit të Komisionit Europian për vendin dhe ky raport fokusohet përveç 5 prioriteteve edhe në kapitujt për secilin sektor. Është shumë e rëndësishme që puna për hartimin e Planit Kombëtar të Integrimit Europian, të përputhet me raportin ardhshëm të Komisionit Europian”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja kërkoi bashkëpunimin e ministrive të linjës për të punuar ngushtë për përkthimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, në mënyrë që të lehtësohet ky proces.
Ministrja u shpreh se MIE, është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e saj për përshpejtimin e procesit të hartimit të akteve të mbetura. “Ky plan duhet të përputhet edhe me Planet Operacionale të ministrive tuaja si dhe me Programin Analitik të projekt-akteve të Këshillit të Ministrave”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha, kërkoi përveç kapaciteteve njerëzore në Drejtoritë e Integrimit, të evidentohen ekspertët më të mirë në fushat përkatëse, që do të jenë në vijim pjesë e grupeve negociuese.
“Na duhen këta ekspertë për t’i trajnuar akoma dhe më shumë. Duhet të kenë aftësi të mira negociuese, të njohin mirë procesin, pasi roli i tyre me hapjen e negociatave do të jetë tejet i rëndësishëm”, tha Ministrja Gjosha.
KOHA JONË SONDAZH

