Gjosha: Integrimi rrugë pa kthim, të angazhuar maksimalisht për reformat

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim kortezie ambasadoren e Mbretërisë së Spanjës, Silvia Cortes Martin.

Bashkëbisedueset vlerësuan marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Spanjën dhe theksuan rëndësinë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve.

Ministrja Gjosha e vuri në dijeni ambasadoren Martin, për hapat që Shqipëria ka bërë për procesin e integrimit, duke e falenderuar për mbështetjen, që Spanja i dha Shqipërisë, për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi përpara shumë sfida të cilat duhet t’i kalojmë dhe mbështetja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian është për ne shumë e rëndësishme. Shqipëria  është në rrugë të mbarë në  procesin e integrimit. Janë një sërë reformash  që qeveria është e angazhuar maksimalisht t’i përfundojë,  pasi i shërbejnë të ardhmes së vendit. Për ne integrimi në Bashkimin Evropian, mbetet prioritet kombëtar një rrugë pa kthim pas”, tha Ministrja Gjosha.

Ambasadorja vlerësoi reformat e ndërmarra deri tani duke theksuar domosdoshmërinë e plotësimit të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për çdo shtet që aspiron të jetë pjesë e tij.

SHKARKO APP