Gjosha: Ndalimi i koalicioneve, frikë e Ramës për humbjen e pushtetit. Qeveria e ka sabotuar integrimin!
Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një prononcim për “Standard” mbi ndrishimet e njëanshme kushtetues që pritet të miratojë Parlamenti më 30 Korrik, theksoi se ato vijnë si pasojë e frikës që ka kryeministri nga humbja e pushtetit. Po ashtu Gjosha tha se qeveria e ka sabotuar me kohë procesin e integrimit.
Partia Socialiste dhe opozita parlamentare pritet të votojnë në Kuvend në 30 Korrik, ndryshimet kushtetuese që hapin jo plotëisht listat e kandidatëve për deputetë dhe ku ndërkohë ndalohen koalicionet parazgjedhore me formulën aktuale. Si e shihni këtë hap që do të ndërmarrin këto palë?
Ndalimi i koalicioneve kërkon ndryshim në Kushtetutë dhe unë mendoj se do t’i takonte një parlamenti legjitim të bëj ndërhyrje në librin themeltar të një shteti. Kjo edhe për faktin se nëse do të ketë ndryshime në Kushtetutë atëherë ato duhet të përfshijnë një gamë të gjerë cështjesh që kanë të bëjnë me balancimin e pushteteve. Nxitimi per ndalimin e koalicioneve tregon frikën e madhe që Kryeministri dhe Partia Socialiste kanë në humbjen e pushtetit, por çfarëdo lloj formati të aplikohet, opozita ka një fitore të sigurtë në zgjedhjet e ardhshme!
A besoni se votimit i ndryshimeve të njëanshme kushetuese në 30 Korrik do të ketë pasoja direkte te negociatat dhe në tërësi në procesin e integrimit të vendit në BE? Sipas jush cfare rrezikon specifikisht vendi?
Qeveria dhe Kryeministri e kanë sabotuar me kohë procesin e integrimit europian. Loja me negociatat dhe mos pranimi i kushteve e kanë çuar vendin drejt një mbylljeje të perspektivës europiane dhe kanë thelluar kushtet për të vazhduar procesin. Është një rrugëtim që sa vjen dhe vështirësohet për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mbi ngopjes nga pushteti. Integrimi i është servirur qytetarëve si thjesht një sërë kapitujsh dhe qeveria ka dështuar t’i edukojë qytetarët për standartet, vlerat, të mirat dhe përgjegjësitë e të qënurit pjesë e Europës. Këtë mungesë informacioni e ka shfrytëzuar për të grabitur pushtetin dhe për të vendosur Europën si një alibi për keq qeverisjen dhe dështimet e saj!