Gjosha: Para se “Deti” të shkojë në Hagë, Rama të tregojë se ku qëndron ngërçi i bisedimeve me palën greke

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha deklaron se dërgimi i çështjes së detit në Hagë, pa nxjerrë në pah se ku qëndron ngërçi i bisedimeve, duket qartë se fsheh shumë të panjohura dhe një mungesë të theksuar transparence.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim thekson se sot pamë një Kryeministër me dy fytyra, që herë ushtron presion ndaj Greqisë siç bëri edhe në 2014 dhe herë përulet me nderim ndaj shtetit fqinj, gjë që sipas saj, tregon një mungesë koherence dhe vazhdimësie në politikën e jashtme.

“Dërgimi i çështjes së detit në Hagë, pa nxjerrë në pah se ku qëndron ngërçi i bisedimeve, duket qartë se fsheh shumë të panjohura dhe një mungesë të theksuar transparence. Përderisa vendet kanë pasur mos dakordësi, do të thotë se bisedime për marrëveshje ka pasur! Pyetja ime për Kryeministrin është: Çfarë është diskutuar për çështjen e detit dhe ku ka çaluar marrëveshja? Besoj që opinioni publik meriton të njihet me të vërtetën!

Sot pamë një Kryeministër me dy fytyra, që herë ushtron presion ndaj Greqisë sic bëri edhe në 2014 dhe herë përulet me nderim ndaj shtetit fqinj. Nuk e di nëse është pozicioni i Ministrit të Jashtëm ky i sotmi, por që realisht tregon një mungesë koherence dhe vazhdimësie në politikën e jashtme.

U mundua të hiqte vëmendjen e çështjes së detit duke folur për Presidentin e Republikës. Por harroi që uli vendin e tij përballë vendit tjetër dhe tregoi edhe njëherë se politika e tij është e lodhur, jo përfaqësuese dhe denigruese për vendin!”, shprehet ish-ministrja Klajda Gjosha.

SHKARKO APP