Gjosha për ”KJ”: Nga 1 kusht, Rama e çoi në 15. Tregojnë gjendjen e rëndë të qeverisjes
Kryeministri Edi Rama do ta mbesë në klasë Shqipërinë në provimin para BE-së. Parlamenti Europian të enjten mbrëma (18 qershor) miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst ”Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes së Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”.
Në një prononcim për ”Koha Jonë”, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se nuk e kishte menduar që Shqipëria do të ishte ende pezull në këtë proces të Integrimit në BE. Kjo ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes, arrogancës dhe imponimit nëpërmjet propagandës.
Ish-deputetja e LSI-së, thekson se nga 1 kusht i vetëm, rrugëtimi ka vazhduar me shtimin në 9 kushte dhe tashmë 15 kushte. Sipas saj, qeveria duhet menjëherë që të fokusohet vetëm në plotësimin e këtyre kushteve, pasi ”negociatat janë jetike për qytetarët tanë, janë jetike për rikthimin në shinat ligjore dhe Kushtetuese”.
Pyetja e plotë
Si i komentoni 15 kushtet e Parlamentit Europian për Shqipërinë në lidhje me rrugën drejt BE-së? Në një kohë që qeveria thoshte se kushte nuk ka, realiteti është ndryshe. Ju si opozitë, çfarë do të bëni që 15 kushtet të plotësohen? A janë këto kushte fundi i qeverisjes “Rama 2” dhe vështirësimi i rrugës europiane?
Prononcimi i plotë
15 kushtet tregojnë gjendjen e rëndë ku është katandisur qeveria Rama. Nuk e kisha menduar asnjëherë që që nga viti 2016 kur u mor për herë të parë rekomandimi për negociatat, Shqipëria do të ishte ende pezull në këtë proces për shkak të keq qeverisjes, arrogancës dhe imponimit nëpërmjet propagandës!
Nga 1 kusht i vetëm, rrugëtimi ka vazhduar me shtimin në 9 kushte dhe tashmë 15 kushte.
Qeveria duhet në mënyrën më urgjente të fokusohet në plotësimin e çdo kriteri që e mban të mbyllur derën e perspektivës tonë europiane dhe mban të mbyllur transformimin dhe zhvillimin e vendit.
Negociatat janë jetike për qytetarët tanë, janë jetike për rikthimin në shinat ligjore dhe Kushtetuese!
R.Shtylla/ Koha Jonë/