Gjosha: Projekti për shëtitoren e Pogradecit është një projekt gjigant që do të nxisë më tej turizmin
Ministrja e Integrimit Europian,Klajda Gjosha mori pjesë në aktivitetin e organizuar në çeljen e sezonit turistik veror në Bashkinë e Pogradecit. Në këtë aktivitet znj. Gjosha ishte e shoqëruar nga Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit znj. Diana Mile
Aktiviteti ishte organizuar nga Bashkia e Pogradecit ku qindra të rinj e të moshuar morën pjesë ceremoninë festive dhe informuese. Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, përshëndeti hapjen e sezonit turistik, duke theksuar se zhvillimi i turizmit është e ardhmja e këtij qyteti të mrekullueshëm. “Sot është fat që të jetosh në një qytet, ku mbushesh me ajër, ku ka liqen, ku shumë pranë ka edhe klimën malore. Është një potencial i jashtëzakonshëm që Pogradeci ka dhe mund të shfrytëzojë për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të tij”, tha znj. Gjosha
Ministrja u shpreh ky qytet është dy herë më i favorizuar, pasi nuk ka turistë vetëm gjatë muajve të verës. “Ne jemi këtu sot në çelje të sezonit turistik veror, por ka dhjetëra qytetarë që vijnë në Pogradec dhe zonat përreth edhe në stinën e tjera të vitit, për të shijuar pikërisht ato që unë përmenda, për gatimet tradicionale, për qetësinë që ofron qyteti”, tha Ministrja Gjosha duke shtuar se Pogradeci mund të ofrojë shumë për pushuesit.
Në vijim të fjalës së saj, znj. Gjosha u shpreh se ardhur koha që në çdo cep të vendit, turizmi të shihet si një burim të ardhurash, jo sot për sot, por në vazhdimësi. “Qeveria shqiptare ka projekte madhore për të shndërruar Pogradecin. Projekti për shëtitoren e Pogradecit është një projekt gjigant që do të nxisë më tej turizmin. Unaza e Pogradecit, e cila do të përfundojë pas dy vitesh është gjithashtu një investim i jashtëzakonshëm për këtë qytet”, tha Ministrja Gjosha.
Gjatë aktivitetit, Ministrja Gjosha së bashku me kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile, vizituan edhe stendat e vendosura në qendër të qytetit, ku spikatnin, produkte artizanale të zonës, gatime tradicionale si dhe shumë materiale informuese e promovuese.
Duke u ndalur në një nga stendat, Ministrja Gjosha se bashku me znj. Mile nënvizuan rëndësinë e zhvillimit t agroturizmit
“Agroturizmi të cilin kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, e ka gjithashtu pjesë të platformës së saj, është një tjetër potencial i rëndësishëm, ku ju, të gjithë banorët e qytetit dhe të zonave rurale, mund të bëni vërtet shumë. Produktet bio që ka Pogradeci, duhen grumbulluar e promovuar. Kuzhina e mrekullueshme tradicionale, gjithashtu. Përkundër këtyre ideve, e programeve, unë jam e bindur se për të zhvilluar turizmin në Pogradec, duhet të investojmë shumë, mbi të gjitha në kulturën e shërbimeve, sepse një turist i kënaqur rikthehet sërish atje ku ka marrë shërbim të mirë”,- tha Ministrja Gjosha.
Kandidatja, Mile gjatë takimit me qytetarët premtoi mbështetjen e Bashkisë së Pogradecit, për çdo projekt që zhvillon qytetin.