Gjosha: Reforma kyçe për integrimin, ajo në sistemin e drejtësisë
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka prezantuar sot para gazetarëve objektivat e institucionit që drejton për vitin 2015. Gjatë fjalës së saj Gjosha tha se gjatë vitit të kaluar është bërë një punë shumë e mirë me reformën në administratën publike, ndërsa ka vlerësuar si një ndër reformat kyçe për integrimin, atë në sistemin e drejtësisë. Ajo pohoi se fondet e BE-së do të përdoren për prioritetet, ndërsa paralajmëroi se në fund të shkurtit, do të ketë një dialog të nivelit të lartë me BE-në.
“Lufta kundër drogës e krimit një ndër prioritetet. Jemi në rrugë të mbarë. Prioriteti numër 5, për të drejtat e njeriut është gjithashtu i rëndësishëm dhe kemi marrë një sërë detyrash në lidhje me këtë. Reforma në drejtësi është ajo që do ti japë zgjidhje gjithë procesit. Progres-raportet vlerësuan reformat”, tha Gjosha.
Në lidhje me rikonstrukturimin e drejtorive të integrimit, ministrja Gjosha tha se ka të bëjë pikërisht me përthithjen e njerëzve të aftë në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shumë fonde. Ajo deklaroi se në fokus të objektivave të Ministrisë së Integrimit për këtë vit do të jetë edhe punësimi.
“Do të kemi në fokus punësimin, një paketë e plotë për punësimin, kjo është diçka e re”, tha Gjosha.