Gjosha: Reforma të bëhet me konsensus, emrat e përveçëm në tryezë nuk kanë rëndësi
Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, ishte e ftuar në RTV Ora, ku foli për reformën zgjedhore dhe marrëveshjen e sotme politike për ecjen përpara të saj.
Gjosha theksoi se e rëndësishme është që kjo reformë të kishte një zgjidhje me konsensus dhe të dakordësuar të të gjitha palëve, ashtu siç e kërkojnë edhe qytetarët shqiptarë.
“Ajo çka ne jemi të interesuar është që kjo tryezë të bëhej me një mënyrë konsensuale, ashtu siç e kërkojnë qytetarët shqiptarë. Sepse krizat në këtë vend prodhohen nga jo dakordësitë, pra nga mos dakordësitë mes palëve, nga problematikat e krijuara dhe nga mungesa e konsensusit që gjithmonë e prodhon politika. Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të vijnë në një tryezë, të dakordësohen, të kenë një konsensus të përbashkët, të jetë gjithëpërfshirëse. Dhe besoj që kësaj ja kemi dalë, sepse në fund të fundit kemi aty përballë mazhorancën, por edhe opozitën që është jashtë Kuvendit dhe duhet të jetë transparente. Besoj që këto janë tre pika që u interesojnë më shumë publikut, sesa emrat e përveçëm që ndodhen në tryezë.” – u shpreh Klajda Gjosha.