Gjoshaj: Të shohim nga e ardhmja, duke i dhënë zgjidhje problemeve
E deleguara e Kryesisë së LSI në Pogradec, Klajda Gjosha zhvilloi disa takime me strukturat drejtuese të organizatave të LSI, në qytet dhe të Njësive Administrative të Buçimasit dhe të Udenishtit.
Gjatë këtyre takimeve, u diskutua për zgjedhjet e 6 nëntorit, ku do të votohet për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe për zgjedhjen e delegatëve për në Konventën Zgjedhore të LSI-së, nga ku do të dalë ekipi i ri drejtues në nivel Kombëtar të LSI-së.
Gjosha u shpreh se angazhimi duhet të jetë maksimal për të zhvilluar një proces organizativ transparent dhe konstruktiv.
“Këto zgjedhje duhet të jenë në funksion të përmirësimit të LSI-së, konsolidimit të saj si forcë politike duke pasur gjithmonë në fokus qytetarët që na kanë besuar deri tani, duke afruar sa më shumë të tjerë të cilët duan të jenë pjesë e asaj çka ne përfaqësojmë”, tha Gjosha.
Gjosha u shpreh se suksesi i kësaj partie politike ka qenë pikërisht aftësia për të dëgjuar çdo familje, çdo qytetar të thjeshtë.
“Ne duhet ta forcojmë akoma dhe më shumë këtë komunikim, duke e pasur çelësin e rritjes së LSI-së. Ne duhet të shohim nga e ardhmja, duke i dhënë zgjidhje problemeve, duke zhvilluar modele të mira për komunitetin. Vetëm kështu mund të bëjmë diferencën. Duhet përfaqësim më i mirë dhe vetëm duke qenë të gjithë bashkë për LSI-në, mund ta arrijmë këtë”, tha Gjosha.
Gjatë takimeve u diskutua për një sërë problematikash që shqetësojnë komunitetin e këtyre zonave dhe u bënë propozimet e strukturave për delegatët dhe u caktuan komisionerët për zgjedhjet e datës 6 nëntor.
KOHA JONË SONDAZH

