”Gjuhë ksenofobie me shqiptarët”, kryeministri britanik i përgjigjet Ramës: Të thyejmë biznesin e trafikantëve

Është kthyer në një çështje serioze dhe problematike në qeverinë britanike, komuniteti shqiptar atje, por kjo për shqiptarët që futen ilegalisht në vend dhe duan azil.

Zyra e kryeministrit britanik, Rishi Sunak i ka kthyer përgjigje qëndrimeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pasi ky i fundit akuzoi Britaninë e Madhe se po i kthente në kokë turku shqiptarët që jetojnë atje, për të justifikuar politikat e dështuar mbi kufijtë dhe emigracionin. Kurse deklaratën e sekretares së Brendshme, Braverman, Rama e quan si ksenofobi.

Zëdhënësja e Sunak, tha se Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë, dhe se i është falënderuese vendit tonë për punën që bëhet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. “Duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën që bën me ne në këtë drejtim”, thuhet në reagim.

Ministrat janë duke hartuar në këtë mënyrë një plan, i cili parashikon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve pasi hyjnë në Britaninë e Madhe, kërkojnë azil.

Shqiptarët përfaqësojnë grupin më të madh të atyre që kalojnë kanalin e La Manshit më gomone. Sipas të dhënave që u janë treguar parlamentarëve, 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe përmes kanalit, që prej fillimit të vitit, krahasuar me 50 që ishin në 2020.

SHKARKO APP