Gjykata dënon Frrokajn, PD: Drejtësia të qëndrojë sa më larg ndikimeve të politikës
Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lezhës për të dënuar me 4 vite burg ish-kreun e bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. Në deklaratën e shpërndarë për mediet, PD-ja thekson se gjykimi në Shkallën e Parë ka patur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Thirrja e selisë blu, është që drejtësia në vend ti qëndrojë sa më larg ndikimeve të politikës.
Deklarata e plotë
Sapo u njohëm me vendimin e gjykatës për ish-kreun e bashkisë së Lezhës zotin Fran Frrokaj. Ne jemi të bindur për punën e shkëlqyer që ai ka bërë për Lezhën dhe qytetarët e saj, sikundër shprehim besimin se z.Frrokaj ka punuar çdo ditë me përkushtim dhe ndershmëri.
Gjykimi në shkallën e parë ka patur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Jemi informuar gjithashtu se z. Frrokaj do ta apelojë vendimin.
Ne shprehim bindjen se gjykimi në shkallët më të larta i kësaj çështje do të nxjerrë në dritë të vërtetën. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë ti qëndrojnë sa më larg ndikimeve të politikës në këtë proces dhe të bëjnë drejtësi.