Gjykata e Apelit thirrje politikës: Mos na intimidoni!

Ditën e sotme hidhet shorti për vendimin e dhënë nga ana e gjyqtari Agron Zhukri, që njohu Komisionin e Rithemelimit, ndërsa Gjykata e Apelit Tiranë vjen me një thirrje për politikën.

Përmes një reagimi Gjykata bën apel që mos të intimidohen.

Deklaratë për mediat dhe publikun

Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to.

Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.

Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë, autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.

Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.

Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar.

Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta.

SHKARKO APP