Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën, Tahiri mbetet në burg

Gjykata e Lartë në seancën e mbajtur këtë të enjte rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili mbetet në burg. Tahiri kërkoi që të pezullohet ekzekutimi i dënimit të tij me burg. Gjykata e Lartë ka një shqyrtim tjetër të ish-ministrit Tahiri, i cili kërkon pafajësi.

Tre gjyqtarët që refuzuan lirimin dhe pezullimin e dënimit të ish-ministrit Tahiri nga burgu, janë Ilir Panda, Medi Bici dhe Sandër Simoni. “Mospranimin e kërkesës së kërkuesit Saimir Tahiri, për pezullimin e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim, dhënë me vendimin nr. 3 datë 04.02.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”,-thuhet në vendimin e Gjykatës.

Shkalla e parë e dënoi Saimir Tahirin me pesë vite burg për akuzën e vetme të ”Shpërdorim Detyre”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul dënimi me 1/3, dhe u vendos që të mos bënte burg, por shërbim prove për 3 vite e 4 muaj. Pikërisht kjo masë lehtësuese u hoq nga Apeli, duke çuar kështu në burg ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë socialiste. Dënimin Tahiri po e vuan në burgun e Fierit.

SHKARKO APP