Gjykata Kushtetuese hap listat e kandidatëve për deputetë, rrëzon herësin për shpërndarjen e mandateve

Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese pikën tre të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që parashikon herësin brenda listës së kandidatëve për deputet si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kërkesa për shfuqizimin e këtij neni ishte bërë nga Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Vendimi

Gjykata Kushtetues ka pranuar kërkesën e Astrit Patozit për shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit. Kërkesa për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor është pranuar pjesërisht si e papajtueshme me Kushtetutën

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji. Me shfuqizimin e këtij neni nga Kodi zgjedhor, në të ardhmen, deputeti që fiton numër më të madh votash futet në parlament pavarësisht renditjes. Pra, lista bëhet tërësisht e hapur. Megjithatë, duhet parë si imponohet Kuvendi ta korrigjojë ligjin pasi Gjykata Kushtetuese ta ketë arsyetuar ligjin.

“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyes, më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.”

Ky është neni që Kushtetuesja ka shfuqizuar nga Kodi Zgjedhor.

Ndërsa, me një vendim tjetër, Kushtetuesja rrëzon pesë aleatët e Bashës, që kishin pretendime për formulën e financimit të partive me fondet shtetërore.

NJOFTIMI

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 17.06.2021 çështjen me kërkuese Partinë Republikane të Shqipërisë, Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese
VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.”

SHKARKO APP