Gjykata merr vendimin, Jamarbër Malltezi mbetet në burg

Pas një seance maratonë, GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ”arrest në burg” për Jamarbër Malltezin, dhëndri i Sali Berishës në lidhje me aferën e ish-kompleksit ”Partizani”. Po ashtu është konfirmuar edhe masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për ortakun e tij Fatmir Bektashi.

Avokatët kanë pretenduar se nuk ka asnjë përfitim të paligjshëm dhe se prona u është kthyer pronarëve të ligjshëm. ”Nuk ka asnjë përfitim te paligjshëm. Pronareve u është kthyer prona. Gjëja me natyrale në botë. Të ardhurat janë përfituar nga një aktivitet i ligjshëm tregtar”,-kanë pretenduar avokatët. Sipas avokatëve, Ministria e Mbrojtjes kishte kohë që nuk e administronte dhe se shoqëria Partizani sha e kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme.

SPAK-u e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash, mirëpo vetë Malltezi ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Nga ana tjetër, sipas avokatëve mbrojtës në veprimet e Malltezit nuk ka vepër penale. Përtej pretendimeve të të akuzuarve, GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin dhe “detyrim paraqitje” për ortakun e tij, ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Nesër pritet të dalë para trupës gjykuese ish-kryeministri Sali Berisha. Aktualisht Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Sipas SPAK, ish-kryeministri Berisha me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

SHKARKO APP