Gjyq politik? Kraja: Asnjë veprim politik ndaj Sali Berishës. SPAK ka kompetencë të hetojë funksionarët e lartë

Një ndër pyetjet që iu bë prokurorit Arben Kraja gjatë mbledhjes që nisi prej orës 12:00 dhe ende po vijon në Këshillin e Mandateve, është edhe pse deputetët nuk duhet ta konsiderojnë një veprim politik këtë kërkesë të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kraja u përgjigj se nuk ka asnjë veprim politik në këtë çështje. Ai u shpreh se në çdo rast puna e prokurorëve mund të përflitet nga palë të ndryshme, por SPAK nuk merret me fjalë.

Arben Kraja: E para që dua të them është që nuk ka asnjë veprim politik. Që në momentin që është regjistruar procedimi penal e deri në momentin që jemi sot dhe nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare. Çdo kërkesë e kemi të bazuar në prova që kemi mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ia kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri më tani. Mund të mos na japë në fund, është çështje e hapur.

Besoni e dini shumë mirë që kemi kompetencë të hetojmë kryesisht edhe funksionarët e lartë shtetërorë. Për sa kohë ne kemi kompetencë për të hetuar funksionarët e lartë shtetërorë nuk mund të jemi në dukje të paanshëm. E përgjithshme kjo. E kam thënë qartë. Unë kam për detyrë apo prokurori tjetër ku ka një kallëzim për një deputet, për një ministër, për një ish të tillë të fillojë hetimin. Në dukje padiskutim kjo mund të përdoret nga palë të ndryshme për të thënë që e filloi se tha ky, e filloi se tha ai.

Ne nuk i ndalojmë dot këto fjalë. Kam qenë drejtues i këtij institucioni për 3 vite dhe jam akuzuar në dukje që po punoj për llogari të krahut tjetër se godas ata që janë në pushtet. Nuk merrem me këto fjalë. Nuk merrem me këto fjalë, por meqenëse u hap ky muhabet Të jeni të bindur që nuk ka asgjë politike. Në jetën time nuk jam marrë ndonjëherë me politikë, as më shkon në mendje të merrem me politikë dhe as do bëhem kurrë politikan.

SHKARKO APP