“Gjyqtarët e korruptuar po mbajnë vendin në thundrën e dhunës e krimit”

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shpërthen në akuza për gjyqësorit, pas 2 ngjarjeve të fundit kriminale, ku janë të përfshirë persona me precedentë penalë të liruar nga gjykatat.

“Arrestuar për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje, dënuar me 3 vjet dhe Gjykata Apelit Vlorë e nxjerr pas pak muajsh burg, sot vret gruan nga të rrahurat. Një tjetër që shpëtoi gjallë dje nga atentati me eksploziv, me disa precedent penal të rëndë, në kërkim për disa kohe se kishte dhunuar bashkëshorten, u arrestua për disa vepra penale dhe gjykata vendosi arrest shtëpie (për dhunë ndaj bashkëshortes!!!!)”,  shkruan ministri në Fb.

Tahiri bën fajtor për këto vendime të gjyqësorit, qeverinë e gjyqësorit, KLD, por edhe aktorë të politikës e përfaqësues të shoqërisë civile, që sipas tij, vetëm konsumojnë paratë, por nuk ushtrojnë asnjë presion kundër gjykatave të korruptuara.
Këto janë pasojat fatale të një sistemi drejtësie që nuk funksionon për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të llahtarshëm. Gjyqtarët bëjnë pazar me kriminelët, duke vrarë bashkë me ta, viktimat e rradhës. Presidenti i Republikës i ka rastet rradhë, por asgjë deri tani nuk ka lëvizur. KLD hesht ose ka shumë punë të mbrojë “kooperativën e të korruptuarve”. Ca deputete gra e ish-ministre, flasin vetëm kur viktimat e dhunës dalin në lajme. Dhjetra OJF marrin para e donacione, por askush nuk ngrihet në kohë kundër këtyre vendimeve skandaloze të gjykatave.  Gjyqtarët e korruptuar po mbajnë vendin në thundrën e dhunës e krimit, e kundër tyre duhet të punojmë të gjithë që viktimat të mos vdesin edhe nga heshtja jonë kolektive”, nënvizon ministri i Brendshëm.

Tahiri i ka dërguar disa letra të hapura Presidentit Nishani, ku denoncon me emra gjyqtarë e prokurorë që japing vendime skandaloze, duke liruar kriminelë që pasi lenë qelitë rikthehen e kryejnë krime edhe më mostruoze.

SHKARKO APP