Gledian Llatja: Mbrëmja Gala 2024, një natë magjike në Teatrin Skampa

Në një atmosferë magjike, si çdo fundvit, Teatri “Skampa” në Elbasan ngriti siparin mbrëmë me Mbrëmjen Gala 2024, duke dhuruar një spektakël të jashtëzakonshëm artistik. Nën interpretimin e Orkestrës Filarmonike të Elbasanit dhe artistëve të njohur e të rinj, publiku pati mundësinë të shijojë një udhëtim muzikor që ndërthurte traditën dhe inovacionin.

Programi i kësaj mbrëmjeje unike solli interpretime të nivelit të lartë profesionalizmi, nga ritmet elegante të Vjenës, deri tek pasioni i tangos argjentinase. Artistët e ftuar, përfshirë sopranon Ulpiana Aliaj, tenorin Xhoiden Dervishi, solisten në klarinetë Eviord Ngjeliu dhe solistin në kitarë Gentian Myftaraj, nën dirigjimin e Deniola Kurajas ngritën peshë zemrat e spektatorëve me performanca që flisnin drejtpërdrejt me shpirtin.

Mbrëmja u moderua me elegancë nga Jonida Vokshi dhe Xhani Shqerra, ndërsa drejtimi artistik i Zeqir Sulkuqit u përkujdes për të sjellë një natë të paharrueshme.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja, gjatë fjalës së tij, vlerësoi artistët dhe punën e tyre të palodhur, duke nënvizuar rolin e Elbasanit si një qendër të rëndësishme të artit dhe kulturës.

Grand Gala 2024 konfirmoi edhe një herë se Elbasani mbetet një burim i pashtershëm talentesh dhe frymëzimi artistik, duke i dhuruar publikut një festë të jashtëzakonshme të artit dhe muzikës.

SHKARKO APP