Gledis Nano urdhër efektivëve: Patrulloni vijën bregdetare, filmoni çdo manovër të rrezikshme të mjeteve lundruese
Vendi është populluar nga turistët që kanë zgjedhur që pushimet verore ti kalojnë në plazhet e Shqipërisë. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka paralajmëruar se duke nisur nga muaji gusht do të shtohen masat për mbarvajtjen e sezonit turistik.
Kryepolici Gledis Nano ka urdhëruar që të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.
Po ashtu në urdhërin e Nanos, thuhet se punonjësit e Policisë që janë me shërbim në plazhet e vendit të insktruktohen dhe të angazhohen në punë, si turni i parë ashtu edhe i dyti, për të patrulluar pandërprerë në vijën bregdetare dhe të evidentojnë çdo mjet lundrues që cenon sigurinë e jetës së pushuesve.
“Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative”.