Gonzato i jep raportin, Tabaku: Opozita rol në Integrimin drejt BE
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dorëzuar deputetes së Partisë Demokratike, njëheraz kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku, raportin e progresit të BE-së për Shqipërinë. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se me ambasadorin Gonzato diskutuan lidhur me raportin e progresit, i cili pasqyron gjithashtu shqetësimet reale të opozitës. Duke iu referuar progresraportit, Tabaku ka renditur edhe disa nga shqetësimet e opozitës.
”Parlamenti ka dështuar të realizojë një reformë tërësisht gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nga çështja e ish-ministrit të Jashtëm deri te ligji për komisionet hetimore dhe rregullorja e Kuvendit, për të cilat janë penalizuar padrejtësisht deputetët e opozitës. Ligje që shkojnë kundër frymës së legjislacionit të BE-së, si ato për Prokurorinë Publike, zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe legjislacioni për kanabisin”,-shkruan Tabaku.
Ndër të tjera, deputetja e PD-së nënvizon se sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë. ”Roli i padiskutueshëm i opozitës në procesin e integrimit, por edhe në hapësirën parlamentare për të ushtruar funksionet e saj të kontrollit dhe monitorimit, përfshirë të drejtën për komisione hetimore dhe të gjitha instrumentet e tjera parlamentare. Pavarësia e institucioneve të kontrollit financiar, si KLSH dhe BSH, dhe mbrojtja e tyre nga ndërhyrjet dhe presioni politik”. Në përmbyllje të reagimit të saj, deputetja demokrate thekson se megjithëse në një klimë të tensionuar, opozita ka luajtur rolin e saj në procesin e integrimit.