Goro dhe Beleri në burg, deputeti i PS-së: Zgjedhjeve të reja në bashkinë e Himarës
Bashkia e Himarës ka mbetur pa kryetar, tashmë edhe me arrestimin e kryetarit në detyrë Jorgo Goro. Deputeti i PS-së Eduart Ndreca, thotë se kjo bashki tashmë do shkojë drejt zgjedhjeve të reja. “Normalisht do shkohet drejt zgjedhjeve por do pritet si do rrjedhin ngjarjet për çështjen e ish kryetarit”, tha Ndreca. Ai tha se PS ka raport normal me drejtësinë, por kush ka abuzuar duhet të marrë përsipër të përballet me të.
Sa i përket teorisë që po diskutohet së fundmi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deputeti i PS e mohoi, madje nënvizoi se nuk i do as Rithemelimi. “Jemi një vit para zgjedhjeve, nuk besoj se ka zgjedhje të parakohshme. Nuk besoj se edhe Rithemelimi kërkon zgjedhje të parakohshme në këtë situatë. Do ishte luks për PS”.
Nga ana tjetër, nënvizoi se nuk ka Pazar mes PS dhe Rithemelimit, shtoi se Komisioni për Reformën Zgjedhore ka mbyllur afatin me dakordësinë e palëve.
“Është një komision që ka bërë një punë siç e kemi parë. Ajo që mendoj është se nëse palët do kenë vullnet për të arritur në një verdikt përfundimtar për reformën ka kohë mjaftueshëm. Komisioni ka bërë atë punë që ka bërë e ka mbyll afatin e tij. Tani mbetet në dakordësinë e palëve nëse do të arrihet ose jo. Janë thuajse dy vite punë, produkti nuk është ai që është pritur. Nuk duhet të ishim në këtë pikë pa një rezultat përfundimtar. Komisioni ka mbyllur afatin me dakordësinë e palëve”.