Gramoz Ruçi, kritika të forta për mungesën e Gjykatës Kushtetuese: Kupa ka filluar të derdhet
Sot ka nisur sesioni i ri i kuvendit të Shqipërisë. Në fjalën e tij, në nisje të sesionit të ri, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë kritika të forta ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, për mos ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ai kritikoi rolin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe atë të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vonesat. Ruçi tha se në muajin janar, me hir apo me pahir, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë nisur nga puna.
“Pas takimit me Presidentin e Republikës me 30 qershor, i kërkova KED-it me një letër përshpejtimin e procedurave të verifikimit të kandidatëve që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale për vendimmarrje, të cilat kërkojnë të paktën 6 anëtarë. KED-i, pas miratimit të amendamenteve mbi procedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit e renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vendosi ndalimin e kandidimit për kandidatët për dy vendet vakante të shpallura nga Kuvendi e Presidenti i Republikës. KED-it iu desh gati një vit të shqyrtonte dy kandidatura! Me këto vonesa të zgjatura, tashmë kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjestim midis investimit të Kuvendit dhe investimit institucional të një pjese të organeve të reja të sistemit, nuk do të tolerohet më. Edhe pse Kuvendi ka hapësira të kufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do të falim asnjë vonesë. Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna. Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!”,- deklaroi Gramoz Ruçi.
Kreu i parlamentit Gramoz Ruçi ka përshendetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Ruçi theksoi se marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, i hap rrugën njohjes së ndërsjelltë.
“Me rastin e fillimit të sesionit të ri parlamentar, ju uroj seksese. Sesioni i kaluar ishte i suksesshëm. Shqipëria mori përgjigje pozitive për çelje negiociatash. Po ashtu, kaluam me sakrifica situatën, nga tërmeti dhe nga pandemia. Po ashtu, u mbledh edhe Këshilli Politik me partitë jashtë parlamentit. Më lejoni të përshëndes marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA.
Kjo marrëveshje ui hap rrugës marrëveshjes finale dhe njohjes së Kosovës. Procesi është shumë i rëndësishëm. Hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës në Shtëpinë e Bardhë, është garanci për këtë çështje. Të kontribuojmë të gjithë që dosja e Kosovës të jetë në dorën e presidentit amerikan derisa të njihet pavarësia e Kosovës”, tha kreu i parlamentit Gramoz Ruçi.
Ky sesion i Kuvendit do të miratojë një sërë çështjes të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është pikënisja e punës për palët duke qenë se 19 tetori duhet ta gjejë KQZ dhe me anëtarë të rinj.