Gratë naftëtare në grevë/ Brisida Shehaj 5 pyetje për Edi Ramën: Mos lejo askënd të vjedhë gjakun e shqiptarëve

Nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Brisida Shehaj ka reaguar për situatën e grave naftëtare në Ballsh, që janë prej disa ditësh në një grevë urie. Teksa i është drejtuar qeverisë me disa pyetje, ajo i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos lejojë që gjaku dhe djersa e tyre të mos vidhet. ”Kur para syve tanë konsumohet një dramë, që përfshin gra me sëmundje të pashërueshme e të tjera në gjendje katastrofale të lindin disa pyetje. E ftoj Kryeministrin e vendit, që pasi të informohet nga institucionet përkatëse, pasi të shohë edhe këtë foto drame të reagojë e të mos lejojë askënd të vjedhë gjakun dhe djersën e shqiptarëve”,- thotë Shehaj.

Reagimi i plotë

Kur para syve tanë konsumohet një dramë, që përfshin gra me sëmundje të pashërueshme e të tjera në gjendje katastrofale të lindin disa pyetje:

1. A ka informuar Ministra e Financave, Kryeministrin se Administrata Tatimore është në një proces gjyqësor për pronësinë e Rafinerisë së Ballshit?

2. A ka informuar Ministria e Financave Kryeministrin se Kompania Përmbarimore, që ka zhvilluar ankandin për shitjen e Rafinerisë së Ballshit ka shkelur ligjin, duke hapur një ankand për një aset, që i përkiste shtetit, bllokuar për llogari të tij për shkak të borxheve të mëdha të mbartura në vite, si pasojë e keqmenaxhimit nga kompanitë?

3. A e di Kryeministri se Kompania Përmbarimore (për të cilën gazetarët dhe mediat duhet të hulumtojnë) ka shitur që në ankandin e parë, në shkelje flagrante të ligjit për ankandet Rafinerinë?

4. A e di Kryeministri se ankandi i parë dhe i vetëm është bërë me kompensim dhe jo me vlerë e ku shteti nuk ka marrë mbrapsht asnjë cent nga miliardat e borxheve të kompanive?

5. A e di Kryeministri se të vetmit përfitues të atij ankandi kanë qenë Banka dhe kompanitë, që kanë keqadministruar Rafinerinë?

E ftoj Kryeministrin e vendit, që pasi të informohet nga institucionet përkatëse, pasi të shohë edhe këtë foto drame të reagojë e të mos lejojë askënd të vjedhë gjakun dhe djersën e shqiptarëve.

SHKARKO APP