Greqi: Edhe 10 ditë nga zgjedhjet, forcohet lufta elektorale midis partive

 “Zoti Samaras i ka humbur faktikisht zgjedhjet dhe fatmirësisht për Greqinë po ikën”, tha kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Cipras, duke folur në tubimin elektoral të partisë në Komotini. Sipas tij, humbjen e parë politike kryeministri e pësoi kur refuzoi të ballafaqohej në debat televiziv me Ciprasin. Në të njëjtën kohë, Aleksis Cipras shprehu sigurinë se populli do t’i japë maxhorancë qeveritare SYRIZA-s, në zgjedhjet e 25 janarit.

Cipras vuri në dukje se ai nuk kërkon “çek të bardhë” nga qytetarët, theksoi se nuk vjen për të rikthyer privilegje, po për t’i eliminuar ato, dhe u angazhua për zbatimin e plotë të programit të SYRIZA-s që nga dita e parë dhe pavarësisht ecurisë së negociatave me trojkën.

Cipras vazhdoi duke thënë se tek qytetarët nuk sheh më frikë, por zemërim dhe theksoi: “Strategjia e frikës ka rënë në boshllëk. Greqia nuk ka frikë. Sado që përpiqet Samaras. Populli po u kthen krahët. Po e merr jetën në duart e veta”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Samaras: Me ato që predikon SYRIZA vendi do të fundoset

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryeministri dhe kryetar i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka vazhduar të sulmojë SYRIZA-n, edhe gjatë tubimit elektoral në Agrinio. “Asnjëherë nuk kemi për ta luajtur në zare atdheun tonë”, nënvizoi kryeministri. Gjithashtu, Samaras tha se “po na shpien në përplasje me partnerët, në falimentim, në dalje nga euro”, ndërsa siç theksoi, “Greqia ka dy rrugë: ose do të mënjanojë pasigurinë politike dhe do të shkojë në drejtimin e zhvillimit, ose do të rrëshqasë në greminën e falimentimit”. Madje, siç tha në këtë pikë, “këtë e thonë njerëzit e tyre, se nuk mund të kërkosh para të Bashkimit Europian dhe të mos zbatosh rregullat e tyre”.

Duke vazhduar sulmin ndaj SYRIZA-s, Antonis Samaras theksoi: “na thonë se vendi ka marë fund, mirëpo e sigurta është se me ato që predikon SYRIZA vendi do të fundoset”. Mirëpo, shtoi, “këtë nuk ka për ta lejuar populli ynë”.

Venizelos: Erdhi momenti i të vërtetës

Kryetari i PASOK-ut, Evagelos Venizelos, ka sulmuar edhe Demokracinë e Re, edhe SYRIZA-n, gjatë fjalimit të tij në Halkida. Venizelos shtroi një sërë dilemash para qytetarëve, duke akuzuar Demokracinë e Re se po përpiqet të terrorizojë elektoratin, ndërsa SYRIZA-n se po përpiqet të imponojë një qetësi të rreme. “Erdhi momenti i të vërtetës”, deklaroi Venizelos. “Ne, më 25 janar kur njerëzit do të shkojnë në kutitë e votimit do ta kemi dorëzuar Greqinë të saktë, me bankat që do të ekzistojnë dhe do të funksionojnë, me ekonominë në lëvizje dhe në ritëm pozitiv zhvillimi. Do ta kemi dorëzuar vendin pa krizë në politikën e brendshme dhe në politikën e sigurisë, me gjithë presionet e mëdha që ekzistojnë në problemin qipriot dhe në detin Egje e në Mesdheun Lindor. Populli, në mënyrë të lirë dhe sovrane do të gjykojë më 25 janar se ku do të shkojë vendi dhe pastaj, cila qeveri do të dalë dhe cila politikë do të zbatohet”, theksoi Venizelos.

Papandreu: PASOK u identifikua me aspektet më konservatore të së djathtës

 “Unë nuk e kam luajtur vendin në zare, siç bëri tash së fundi zoti Samaras", theksoi ish kryeministri Jorgos Papandreu dhe kryetar i Lëvizjes së Socialistëve Demokratë, në intervistë për televizionin ANT1. Papandreu tha se vetë ai dhe populli grek, ngritën një barrë mjaft të madhe. Posaçërisht për vetveten, tha se ngriti barrën që u përkiste të tjerëve dhe posaçërisht qeverisë Karamanlis që e dorëzoi vendin thuajse të falimentuar dhe në fakt, ishte ajo qeveri që e vendosi vendin nën memorandumin.

Duke u përgjigjur mbi largimin e tij nga PASOK-u, Papandreu tha se PASOK-u ka problem serioz, sepse u identifikua me aspektet më konservatore të së djathtës dhe se ka një diferencë ideologjike ndërmjet të dy partive. Ai shtoi se ishte obligim i tij që të krijonte Lëvizjen, me qëllim që të kishte një nisje të re mbi bazën e parimeve dhe vlerave që PASOK-u i braktisi duke bashkëpunuar me Demokracinë e Re.

 

“Pa përfundimin e programit, kostoja për vendin do të rritet në masë mjaft të madhe”

Vlerësimin se pa përfundimin e programit për Greqnë brenda një afati të pranueshëm kohor, kostoja për vendin rritet në masë mjaft të madhe, ka shprehur ministri i financave, Gjikas Harduvelis, duke folur në Dhomën e Tregtisë Greko-Gjermane. Harduvelis ka përmbledhur rreziqet e mundshme nga mos përfundimi i programit:

“Së pari, humbje fondesh me vlerë 7,2 miliardë euro. Gjysmat nga kreditë e FMN dhe gjysmat nga eurozona. Madje 1,8 miliardë nga paratë e eurozonës janë një dhuratë e pastër, nuk përbëjnë kredi të re. Është kthimi në Greqi i fitimit të kapitalit të bankës Qendrore Europiane, nga blerja e obligacioneve greke në çmim shumë të ulët”.

“Së dyti, Greqia do të detyrohet të kthejë një shumë prej 11,4 miliardë euro, që ka sot fondi i stabilitetit financiar. Këto janë para që deri më sot nuk u desh të përdoren për mbrojtjen e sistemit bankat grek”.

“E treta, Greqia do të gjendet të përballojë e vetme tregjet, kur të ketë nevojë. Por nuk do të ketë mekanizmin europian të mbështetjes, asnjë jastëk sigurie, pra”.

“Së katërti, pa përfundimin e programit, BQE nuk do të ofrojë likuiditetet e zakonshme që u ofron bankave greke dhe që në nëntor të vitit të kaluar kapnin shumën 45 miliardë euro. Bankat do të detyrohen të përdorin mekanizmin ELA (Emergency Liquidity Assistance / Ndihma Emergjente me Likuiditete), që funksionon me garant ekskluziv shtetin grek dhe kushton më tepër”.

“Së pesti, do të jetë thuajse i pamundur inkuadrimi i bankave greke në programin e relaksimit sasior. Domethënë Greqia do të humbasë trenin e financimit të lehtë, të cilin do ta përdorin vendet e tjera të eurozonës”.

 

Dijsselbloem: Europa do të ofrojë më shumë ndihmë nëse Greqia respekton angazhimet e veta

Presidenti i Eurgrupit, Jeroen Dijsselbloem, u angazhua për të bashkëpunuar me qeverinë që do të rezultojë pas zgjedhjeve të ardhshme në Greqi, por i bëri thirrje qeverisë greke që të ruajë politikën e shtrëngesës.

Dijsselbloem theksoi gjithashtu se Europa mund të ofrojë më shumë ndihmë, nëse Greqia respekton angazhimet e veta për reforma.

“Cilado që të jetë qeveria e re, do të bashkëpunojmë me të”, deklaroi presidenti i Eurogrup, para gazetarëve në Tokio.

Dijsselbloem i ftoi votuesit grekë që të shikojnë në sy realitetin në të cilin ndodhet vendi. “Janë bërë shumë përpjekje, kryesisht nga populli grek. Rimëkëmbja po fillon. Do të ishte gjynah që të humbet prapë”, tha Dijsselbloem.

Nga Kujtim VANI, Athinë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?