Greqia dështon në raundin e parë të Presidentit, Samaras: Jo votë kundër qeverisë

Qeveria e kryeministrit grek, Antonis Samaras, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit në raundin e parë të votimit parlamentar.

160 deputetë votuan në favor të kandidatit të qeverisë Stavros Dimas, 135 votuan kundër dhe pesë abstenuan.Që Dimas të fitonte, ishin të nevojshme 200 vota edhe pse dështimi i qeverisë ishte i pritshëm në këtë raund.Rezultati tregoi se qeveria e koalicionit, e cila ka 155 deputetë në parlament, arriti të fitojë pesë vota shtesë.

Shpresa dhe synimi i Samaras është arritja e mbështetjes nga partitë e vogla dhe nga deputetët e pavarur.

Edhe pse nuk u arrit kuota minimale prej 180 votash, deputetët dhe zyrtarë të qeverisë greke më herët deklaruan se edhe 160 vota do të përbënin një hap pozitiv dhe një inkurajim për raundet e tjera.

Zyra e Kryeministrit lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhej se votimi nuk ishte për qeverinë e Samaras, por për të mbrojtur Kushtetutën dhe respektuar institucionin e Presidentit.Partnerët e zonës euro të Greqisë janë të shqetësuar se një rezultat negativ mund të shkaktojë probleme në bllokun e monedhës së perbashkët.

Duke u bërë thirrje deputetëve se Greqia ndodhet në duart e tyre, kryeministri Samaras ka paralajmëruar një situatë katastrofike në kohën kur Greqia ndodhet në kulmin e krizës së borxhit dhe në kohën kur rrezikon daljen nga euro.

Rreziku tjetër potencial nëse qeveria bie, është ardhja në pushtet e partisë radikale Siriza, lideri i së cilës Aleksis Tsipras ka dekalruar se do të ndërpresë çdo marëdhënie me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe huadhënësit europianë nëse vjen në pushtet.

Raundi i dytë i votimit në parlament do të mbahet më 23 dhjetor, ndërsa ai final më 29 dhjetor. Nësë Presidenti nuk zgjidhet edhe në këto dy raunde, Greqia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

SHKARKO APP