Greva që mbylli Rinasin, PD: Të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës dhe qeverisë së tij të dështuar
Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili kërcënoi punonjësit e Albcontrol pasi u ngritën këtë të mërkurë në protestë. Përmes Alfred Rushajt, drejtues i fushatës së PD-në, selia blu thekson se ministrja Belinda Balluku, e cila ishte për tetë vite përgjegjëse për punëtorët, tani po akuzon opozitën si organizatore të një grevës. Rushaj shton se dështimi i Shqipërisë në fakt është dështimi i Ramës që për tetë vite ka qenë në qeverisje.
”Ministrja na shpjegoi se për grevën në aeroport duhen fajësuar punëtorët dhe opozita. Ministrja që ishte 8 vite përgjegjëse për punëtorët, tani po na akuzon ne për një grevë. Ky është një mashtrim elektoral i Ramës për qytetarët shqiptarë. Kjo është fryma konstante e qeverisë Rama: të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës vetë dhe qeverisë së tij të dështuar.
Kur paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë, arsyeja është pandemia. Kur ai nuk mban dot asnjë premtim – arsyeja është tërmeti. Kur Shqipëria është në mesin e vendeve me vdekjet më të larta në Europë dhe spitalet po kolapsojnë – arsyeja është se qytetarët nuk janë mjaftueshëm të kujdesshëm dhe të mbrojtur. Kur Shqipëria gjobitet me një shumë astronomike prej 110 milion euro – arsyeja është pronari i televizionit dhe vetë kanali televiziv. Kur papunësia arrin kulmin e qindra mijëra të papunëve, Rama shpjegon se kjo vjen për shkakun tonë, vetë qytetarëve shqiptarë që nuk duan të punojnë.
Por qytetarët shqiptarë e dinë tashmë … është Rama dhe qeveria e tij e dështuar, vetëm ata janë përgjegjës për të gjitha dështimet. Vetëm ata janë përgjegjës për faktin që Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite. Dështimi i Shqipërisë është dështim i Ramës. Shqipëria duhet të ndryshojë, Shqipëria duhet të nisë të shpresojë sërish. 25 prilli i jep fund justifikimeve të dobëta të Ramës. Shqipëria meriton një qeveri dhe një kryeministër që merr përgjegjësi për rezultatet dhe punon për Shqipërinë”,-shkruhet në reagimin zyrtar.