Grida Duma: Rama e sulmoi viktimën pas vdekjes

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma, reagoi sot për ngjarjen në burgun e Rrogozhinës, ku një person vrau veten pasi ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së energjisë. “Gjithkush ka shprehur revoltën dje nga kjo ngjarje, sidomos kur u mësua se fatkeqi nuk ishte aspak vjedhës energjie, por e paguante atë. Ekspertët kanë zbuluar se jo vetëm nuk kishte diferencë, me mënyrën se si ai kishte lidhur dyqanin e tij me sahatin familjar, por përkundrazi e paguante edhe më shtrenjtë energjinë. Babai i tre fëmijëve kishte bërë atë që kanë bërë mijëra qytetarë në vend që duan të mos mbyllin biznesin e vogël me të cilin ushqejnë familjen, pasi OSHE-ja e Edi Ramës nuk të përgjigjet asnjëherë për kërkesat që mund të kesh,” tha Duma.

Ajo shtoi se “vetëm një njeri në Shqipëri nuk ka treguar asnjëlloj ndjeshmërie për këtë dramë, që nuk është vetëm e një të ndjeri, por e mbarë vendit. Ky është Edi Rama, i cili e ka shumëfishuar dhimbjen e familjes lushnjare e të afërmve të viktimës, por dhe të mbarë opinionit publik, duke e cilësuar hajdut burrin që protestoi ndaj padrejtësisë duke u vetëflijuar”.

SHKARKO APP