PD: Sadri Abazi, oligarku i Ramës që ka kapur komisionin e tenderave

Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma akuzoi sot deputetin socialist Sadri Abazi. Ajo tha se përmes një skeme korrupsioni të mbështetur nga kryeministri Rama, Abazi ka shumëfishuar tenderat e fituar nga kompanitë e tij.

Duma tha se deputeti socialist ka kapur institucionin e ankesave për tenderat, me anë të një ish-punonjësi të kompanive të.

“Nëse je në garë me Sadriun dhe dihet se garën e ke të humbur para oligarkut të Ramës, atëherë duhet t’i drejtohesh KPP-së me ankesë. Mirëpo KPP-ja është kthyer në një zyrë të Sadriut”, ka thënë Duma, e cila ka parashtruar dy pyetje:  “A është një ish-drejtues i kompanisë së Sadriut, “Alko Impex”, pjesë e KPP, pikërisht në zyrën e shqyrtimit të ankesave? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i Sadriut me përfaqësuesen ligjore të KPP?”.

Deklarata e plotë Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma

Kemi bërë publike se si oligarku i Ramës, Sadri Abazit merr dhjetëra tendera, shpallet gjithnjë fitues, me ofertën më të lartë dhe merr pothuajse fondin limit. Tendera në OSHEE, tendera tek rrugët, tendera kudo. Madje së fundmi, u zbulua se miku dhe ndërmjetësi i tij Taulant Balla, i kishte siguruar dhe nja 780 milionë lekë në Bashkinë e Librazhdit.

Më e rënda, është kapja që Sadriu i Ramës i ka bërë institucionit kyç të tenderave që është Komisioni i Prokurimeve Publike, aty ku si rregull, duhet të shqyrtohen ankesat e operatorëve të tjerë.

Duma1Nëse je në garë me Sadriun dhe dihet se garën e ke të humbur para oligarkut të Ramës, atëherë duhet ti drejtohesh KPP-së, me ankesë. Mirëpo KPP-ja, është kthyer në një zyrë të Sadriut.

Dje bëmë dy pyetje publike.

A është një ish-drejtues i kompanisë së Sadriut, Alko Impex, pjesë e KPP, pikërisht në zyrën e shqyrtimit të ankesave?

A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i Sadriut, me përfaqësuesen ligjore të KPP?

Sigurisht, Sadriu heshti, Taulanti heshti, Rama heshti.

Sot po e bëjmë më konkrete pyetjen:

A është Jonaid Myzyri, më parë menaxher i Sadriut, në një post kyç sot në Komisionin e Prokurimeve Publike?

Po përfaqësuesi ligjor i Sadriut, Taulant Godroli, a ka lidhje me përfaqësuesen ligjore të KPP, e megjithatë ata përballen ne gjykatë dhe gjithnjë fiton kompania e Sadriut?

Heshtja e oligarkut, e ndërmjetësit të tij Taulant, e Ramës konfirmojnë këtë formë tronditëse të korrupsionit e kapjes së institucionit kryesor të tenderimit.

Ky korrupsion është arsyeja pse Rama dhe oligarkët e tij pasurohen çdo ditë e më shumë, ndërsa populli zhytet në papunësi, varfëri e mjerim, çdo ditë e më shumë.

SHKARKO APP