Gruevski dhe Gjukanoviç ikën, kurse tani radha e Ramës

Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet e Ballkanit (IFIMES) me qendër në Slloveni dhe që monitoron zhvillimet në rajon, ka publikuar dje një raport për situatën në Shqipëri dhe zgjedhjet e 25 prillit. Dokumenti i IFIMES është hartuar nga ekspertë të saj në Vjenë, SHBA dhe Ballkan dhe jep një pamje të zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë gati 8 vite qeverisje të Edi Ramës. Raporti bazohet në dokumente publike të institucioneve ndërkombëtare, por jep dhe detaje të siguruara nga hartuesit e raportit.

Dokumenti i IFIMES jep të dhëna shokuese për zhvillimet në Shqipëri, të cilat janë kambanë alarmi jo vetëm për institucionet në Tiranë, por edhe për ndërkombëtarët. Në raport thuhet se gjatë dy mandateve të pushtet të Edi Ramës, Shqipëria ka shënuar vetëm përkeqësim. Vendi që duhet të ishte më afër BE, sipas raportit, sot rezulton se është më afër me shtetet e Amerikës Latine që kanë probleme me trafiqet e drogës. Në raport jepen të gjitha detajet e drogës që lidhen me ish-ministrat e Brendshëm dhe thuhet se Shqipëria është kthyer në një nga qendrat e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.  “Gjatë mandatit të parë të Edi Ramës si Kryeministër, Shqipëria u bë vendi kryesor për prodhimin e paligjshëm të kanabisit, tregtinë e drogës serioze dhe trafikimin e qenieve njerëzore në Evropë. Kjo u konfirmua nga BE, Europol, Departamenti i Shtetit i SHBA dhe Kombet e Bashkuara. Besohet se fitimi i paligjshëm nga trafiku i drogës është në rreth pesë miliardë euro. Vetëm në Itali u kapën 30 ton kanabis shqiptar në 2017 (viti i zgjedhjeve), në krahasim me 11.3 tonë të kapur në 2015, i cili është një rekord në lidhje me vitet e mëparshme”,- thuhet në dokument.

Duke folur për zgjedhjet e 25 prillit, raporti jep një të dhënë shqetësuese. Në dokument thuhet se “analistët vlerësojnë se regjimi i Edi Ramës ka rreth dy miliardë Euro në dispozicion për blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të planifikuara të zhvillohen në 25 Prill 2021”. Ndërkohë vlerësimi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sipas dokumentit është dhe me alarmant. Koncesionet dhe kontratat e PPP-së që qeveria “Rama” i vlerëson si histori suksesi, sipas raportit janë një falimentim i shtetit dhe kapje e gjithë hallkave të shoqërisë. IFIMES vlerëson se koncesionet dhe kontratat e qeverisë “Rama” nuk janë asgjë tjetër veçse pastrim parash dhe përdorimi i lekëve të buxhetit për të blerë mediat dhe për të blerë votat.

Lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, raporti thotë se Edi Rama është një lider i pabesueshëm për ndërkombëtarët, pasi ka shkatërruar të gjitha marrëveshjet që ka nënshkruar me kundërshtarët politikë. Raporti vlerëson  qëndrimet e Presidentit Ilir Meta për të zgjidhur krizat politike dhe shprehet se “Presidenti ka shmangur luftën civile gjatë në zgjedhjet vendore të vitit 2019”. Ndërkohë raportit zbulon dhe mënyrën sesi Edi Rama ka ndikuar të Komisioni i Venecias me anë të zyrtarëve të Brukselit. “Më 21 Tetor 2020, Presidenti Meta i shkroi Komisionit të Venecias në lidhje me modifikimet arbitrare kushtetuese të Ramës. Komisioneri Evropian Varhelyi zbatoi diplomacinë dhe drejtësinë në përpjekjen e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e nyjës politike Gordiane në këtë vend të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte një zhvillim i mirëpritur duke marrë parasysh paraardhësit e tij partiak pro-Ramës, të cilët gjithashtu mund të lidhen me korrupsionin. Sidoqoftë, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera ndërhyri me Komisionin e Venecias dhe kërkoi që kërkesa e Metës të refuzohet”,- thuhet në dokument.

Duke e vlerësuar Edi Ramën si një “autokratin e fundit në Ballkan”, ekspertët e IFIMES sugjerojnë se largimi i tij duhet të bëhet me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërkombëtarët duhet të ndjekin me shumë vëmendje procesin e 25 prillit. Raporti akuzon Edi Ramën për ndërhyrje në zgjedhjet në Mal të Zi dhe madje për “pagesa” në fushat elektorale të vendeve të tjera. Duke renditur gjithë problemet që ka sjellë në Shqipëri, raporti thotë se ka ardhur koha që Edi Rama të largohet dhe qeverisja autokrate e tij t’i përkasë historisë. Rama krahasohet me dy nga politikanët më të akuzuar për korrupsion në Ballkan, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.  Dokumenti i ekspertëve të huaj thotë se pas “Gruevskit, Gjukanoviçi dhe Hashim Thaçit tashmë është radha e Ramës që të largohet nga pushteti”.

/Mili Xhani/

SHKARKO APP