Grupet në PD/ Patozi: Po sillen në mënyrë hileqare, pasi nuk e duan bashkimin

Dikur një nga figurat më të rëndësishme të PD-së, Astrit Patozi thotë se grupet brenda selisë blu, nuk janë të ndarë dhe se sot po sillen në mënyrë hileqare dhe se nuk e duan bashkimin.

“Për të shkuar te bashkimi, këta duhet të ndahen një herë. Këta nuk janë juridikisht të ndarë. Kjo është gjëja më e keqe që ka sot Partia Demokratike në shtëpinë e saj. Unë mendoj se nëse PD-ja do të ishte ndarë që kur nisi sherri, përpara se të merrnin hunjtë dhe kundragazin për të rrahur njëri-tjetrin, tani do të kishin të gjitha mundësitë për t’u bashkuar si njerëz. Tani po sillen në mënyrë hileqare, pasi nuk e duan bashkimin, por bëjnë sikur flasin, që faturën e dështimit në zgjedhje t’ia lënë njëri-tjetrit”.

Sali Berisha po vijon me primaret, por të Patozin primaret janë elementi për të mos u bërë kurrë bashkimi. ”E shoh të zymtë perspektivën e PD-së në këtë luftë të brendshme. Sali Berisha ka qëllim dominimin total të PD-së. Pala tjetër ka qëllim mbijetesën, duke luajtur me letrat dhe me gjykatën. Dy mundësi ka: ose do të ndahen, ose pjesa e Bashës do të asimilohet. Berisha me primaret kërkon që t’i kompleksojë, duke i faturuar humbjen”.

SHKARKO APP