Grupi i Berishës kërkesë Kuvendit për mocion me debat për inceneratorët: Pa urdhërin e Ramës kjo aferë nuk do ishte zbatuar
Grupi i Berishës në PD, ka depozituar një kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë për mocion me debat për çështjen e inceneratorëve. Ata kërkojnë debat me kryeministrin Edi Rama, për të cilin thonë se kjo aferë nuk do të ishte zbatuar pa urdhërin e tij.
”Kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhërin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar”,-thuhet në kërkesa e PD-së së Rithemelimit.
Pas dërgimit të kësaj kërkese, brenda tre ditëve duhet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të marrë një vendim, por deputetët kërkojnë që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet që sot dhe çështja të futet në rendin e ditës për seancën e të enjtes së ardhshme.
Njoftimi i plotë
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë i kanë dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zj. Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me debat publik URGJENT në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhërin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar.
Seanca plenare e ditës së premte, datë 14.07.2023 u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, e cila në Nenin 73, pika 4 e saj, parashikon diskutim si dhe votim të hapur me qëllim që opinioni publik të vihet në dijeni mbi qëndrimet e secilit deputet. Ndaj: Meqenëse seanca e ditës së sotme nuk e garantoi mundësinë e debatit për një cështje të një rëndësie madhore, kërkojmë nga ana juaj:
Mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte date 14.07.2023, të Konferencës së Kryetarëve dhe futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të dt 20.7.2023, të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë;
Çdo deputet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta; Lista e folësve për Mocionin me Debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues të Mocionit me Debat dhe më pas mund të vijojnë folësit apo diskutantët e tjerë.