“Hachathon”, ministri Taulant Balla: 50 studentë konkurrojnë në fushën e kodimit dhe inovacionit
Për tri ditë me radhë rreth 50 studentë të ndarë në grupe janë bërë pjesë e garës “Hackathon”, organizuar nga IdentiTek, kompania që prodhon dokumentet biometrike në Shqipëri. Programues e profesionistë të rinj të teknologjisë punojnë së bashku për një periudhë kohore për tẽ krijuar produkte inovative ose zgjidhje teknologjike nën tematika të caktuara.
Më të talentuarve do t’u ofrohet një kontratë pune tek IdentiTek. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndoqi sot nga afër garën. “Mbi 50 të rinj super të talentuar konkurrojnë mes njëri-tjetrit në fushën e kodifikimit dhe inovacionit, duke punuar në ekip dhe duke përdorur aftësitë e tyre për të zgjidhur sfidat teknologjike dhe lehtësimit të shërbimeve për qytetarët dhe biznesin. Ndjehem i frymëzuar nga garuesit e Hackathonit të parë, organizuar nga IdentiTek”, nënvizoi Balla.
Ministri tha edhe se objektivi është që Shqipëria 2030 të kthehet në vendin e parë në rajon për sektorët e energjisë, turizmit dhe inovacionit.Modernizimi i shërbimeve dhe konsolidimi i infrastrukturës digjitale përbën një instrument të pazëvendësueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur në mënyrë të shpejtë cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.