Hafizi: Pse po kërkojmë ‘hap kutitë e referendumit’
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi thekson se referendumi i 9 prillit ishte një proces me shkelje të panumërta ligjore. Duke shprehur qëndrimin e saj kundër dhe të deputetit Ben Blushi, Hafizi thekson se ata ishin alternativa refetrendare.
Hafizi: Në Kodin Zgjedhor të Partisë, neni 55.6, si alternativë referendare ne kishim të drejtën e vëzhgimit të procesit. E kemi kërkuar që në ditën e parë, publikisht. Një ditë para referendumit, unë kam ndjekur gjithkund Komisionin Zgjedhor të Partisë Bashkia Shkodër, për t’i kërkuar akreditimin e vëzhguesve në 11 qendrat e votimit në këtë bashki. Komisioni është fshehur, është ndërruar në momentin e fundit, nuk më është përgjigjur. Për këtë kam dokumentim të plotë. Ne nuk na u dha mundësia të kemi vëzhgues, për të shënuar se cilët ishin pjesëmarrësit realë në procesin e votimit.
Për këtë arsye, ajo kërkon që t’u vihet në dispozicion fotokopja e të gjitha listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit me nënshkrimin e votuesve të 385 qendrave të votimit në të gjithë vendin. Dhe kjo sipas deputetes, kërkohet për një arsye.
Hafizi: Me këto lista në dorë ne do shkojmë të kontaktojmë të gjithë socialistët shqiptarë, qytet më qytet e fshat më fshat, për t’iu treguar sesi emrat e tyre janë abuzuar dhe se sa i shëmtuar dhe i manipuluar ka qenë ky proces. Është detyra jonë morale para socialistëve dhe shqiptarëve! Kërkesën do ia parashtrojmë KZP, Komisionit Zgjedhor të Partisë, sapo ky komision të shpallë rezultatin e referendumit, kuti për kuti, ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor i Partisë.
KOHA JONË SONDAZH

