Hajdarmataj: Gratë parlamentare asnjë motiv për tu ndjerë krenare
Në konferencën rajonale të grave deputete të mbledhura të gjitha së bashku sot në kuvendin e Shqipërisë, theksi u vu tek nevoja e barazisë gjinore dhe pjesëmarrja e gjinisë femërore më shumë në jetën aktive të politikës. Deputetja e PD-së Mimoza Hajdarmataj këtë konferencë rajonale e ka quajtur një “reality show”.
Siç është e ditur opozita është në bojkot dhe prezenca e deputetëve femra të PD-së në këtë konferencë ishte evidente. Hajdarmataj ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të qenë pjesë e kësaj konference.
Me një postim në facebook, deputetja e qarkut të Kukësit është shprehur se në atë konferencë nuk po pasqyrohet realiteti dramatik i grave, vajzave dhe nënave në Shqipëri. Shkrimin e saj Hajdarmataj e ka shoqëruar me disa foto, ku epiqendër është gruaja dhe roli i saj aspak i barabartë. Hajdarmataj si një njohëse e mirë e realitet si pjesëtare e disa organizatave për mbështetjen e gruas, është shprehur pesimiste me atë çfarë ka bërë deri më sot kjo qeveri.
“Sigurisht shkaku kyç i fajit është edhe atje në atë Parlament, ku deputetët që urdhërohen dhe punojnë për krimin në pushtet, nuk mund të bëjnë ligje pro grave, në mbështetje të tyre e aq më pak të zbatohen ato pak ligje të mira nga një qeveri që zhyt gratë edhe më shumë në mjerim, në dhunë e në vetëvrasje, ndërsa gratë ministre apo zyrtare të lart thjeshtë matrioshka kryeministrore heshtin”, ka thënë Hajdarmataj.
Për deputeten e PD-së, liria dhe të drejtat e grave nuk plotësohen me rritjen e kuotave që gratë të vijnë në pushtet. “Ne, gratë parlamentare shqiptare nuk kemi asnjë motiv apo arsye për tu ndjerë krenare, sepse nuk kemi arritur të shënojmë asnjë fitore të rëndësishme për statusin e grave dhe të rejave që përfaqësojmë. Bojkotimi parlamentar vazhdon, por reflektimi politik thellohet”, është shprehur më tej Mimoza Hajdarmataj.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

