Hajdarmataj: Shfaqen maskat, Tahiri i lidhur me krimin
Partia Demokratike ka reaguar për situatën e rendit në vend. Nëpërmjet deputetes Mimioza Hajdarmataj, PD-ja, ka vënë theksin se pasiguria në vend është rritur. “Pas një serie ekzekutimesh mafioze në ditët e para të Janarit, shfaqja e maskave të armatosura me uniforma policie dhe grabitjet e dhunshme, janë një përkeqësim i mëtejshëm i garancive për jetën dhe pronën”, ka theksuar Hajdarmataj.
PD për këtë situatë ka bërë përgjegjës, Ministrin Saimir Tahirit.
“Çdo ditë në detyrë e këtij ministri të lidhur me krimin, është një nxitje për krimin, është një frymëzim për krimin. Tahiri i Ramës pas gjithë kësaj vale krimi, ka kurajon të shfaqet në Vlorë, në qytetin ku makina e tij private bën taksinë e drogës, dhe të fajësojë Gjykatën Kushtetuese. Kur ministër i rendit është Saimir Tahiri, kumbar i habilajve, shërbëtor i Shullazit, ndërmjetës i vrasësve me pagesë, çirak i bosëve të drogës, atëherë ekzekutimet, krimet, grabitjet me maska janë të legalizuara”, ka shtuar më tej deputetja Hajdarmataj.
PD ka shprehur inkurajimin për oficerët e ndershëm, trupën e burrave dhe grave me uniformë të bëjnë detyrën, të luftojnë krimin, edhe pse në kushte të vështira, kur krimi ka lidhje direkte me ministrin. PD ka kërkuar largimin e Tahirit nga posti i Ministrit.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

