Haki Çako, numri një i Policisë së Shtetit: Nuk kemi asnjë pajisje përgjimi!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se asnjë pajisje përgjimi nuk është regjistruar në inventarin e policisë së shtetit. Në raportim në Komisionin e Sigurisë, Çako mohoi përdorimin e pajisjes së përgjimit, pavarësisht se ajo ishte konfirmuar më parë nga Ministri i Brendshëm dhe nga kreu i SHISH.
“Policia e shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pajisje gjurmimi, në inventar. Absolutisht as ka pasur, në inventarin e policsë së shtetit një pajisje gjurmimi. Përgjimi dhe gjurmimi janë koncepte të ndryshme. Policia e shtetit nuk ka pajisje të përgjimit telefonik” u shpreh Haki Çako para deputetëve.
Por deklarata e tij bie ndesh me atë që ka deklaruar Saimir Tahiri dy ditë më parë. Minsitri i Brendshëm tashmë e ka pranuar ekzistencën e pajisjes së përgjimit nga policia.
“Këtë pajisje fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër” tha Tahiri dy ditë më parë.
Ndërkohë pak më parë, kreu i SHISH konfirmoi se pajisja në fjalë është IMSI Catcher. Ajo është futur në territorin shqiptar dy muaj më parë dhe për këtë jaë njoftuar Prokurori i Përgjithshëm dhe Presidenti.
Ja një pjesë e debatit:
Haki Çako: Në emër të Drejtorit të policisë së Shtetit deklaron me përgjegjësinë time që policia e shtetit në të gjithë aktivitetin e saj ka kryer vetëm detyrat në përputhje të plotë me gjithë legjislacionin e parashikuar nga Kuvendi. Ludhur me çështjen që jam thirrur jam më se i qartë se policia gjatë gjithë veprimtarisë nuk ka pasur, nuk dhe nuk mund të ketë paisje përgjimi. Nuk ka kryer dhe nuk kryen përgjim të telekomunikimit. Për këtë jam më se i sigurt.
Ka nisur procedim penal për të cilën jam në dijeni dhe në zbatim të ligjit kam vënë në dispozicion burimet njerëzore. Në dispozicion të procedimit penal nga prokuroria e rrethit Tiranë
Policia nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje gjurmues dhe për askënd nuk ka kryer gjurmim telefonik.
Noka: Nuk mund të bëni një përshkrim më të hollësishëm rreth skandalit.
Çako: Jam i hapur të përgjigjem për gjithçka më lejon ligji në përputhje të plotë me kodin e procedurës penale që sqaron dhe saktëson se nëse ka filluar një procedim penal gjithçka e publikuar duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin për hetimin pasi çdo deklarim në mënyrë publike apo personale cënon rëndë dhe është aspekt i parashikuar në ligj si shkelje e hetimit.
Noka: A ekziston në dijeninë tuaj një paisje e tillë përgjimi apo lokalizimi e futur në territorin e Shqipërisë dhe a keni dijeni në pronësi të kujt është nëse ekziston?
A keni dijeni kush e ka sjellë, në çfarë rrugësh ka hyrë, ku ka hyrë dhe a është zbatuar ligji dhe procedura ligjore për futjen dhe administrimin e kësaj paisje që në rast se është, e posedojnë
Çako: Prej disa ditësh në lidhje me këtë fakt ka filluar një procedim penal për të cilin jam vënë në dijeni dhe në kontakt dhe zbatim të ligjit kam vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme të burimeve njerëzore dhe dokumentare të policisë së shtetit. Çdo element që kërkon zbardhjen apo trajtimin lidhur me çështjen e konsideroj si çështje që do duhet t’ua japë hetimi dhe Prokuroria. Jam i hapur për ti shërbyer hetimit që do jetë ai që do konkludojë për të gjithë aspektet për veprimet eligjshme dhe të paligjshme të policisë apo kujdo qoftë. Kategorik jam që policia e shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka pajisje gjurmuese dhe nuk ka organizuar asnjëherë gjurmim telekomunikacioni për askënd
Noka: Ministri e ka pranuar në një emision televiziv që ekziston një paisje e tillë dhe ka pohuar që është thjesht paisje gjurmimi. Ju sapo e konfirmuat që nuk ekziston një pajisje e tillë.
Çako: Nuk konfirmova mos ekzistencën, thashë që ka filluar procedim penal.
Noka: Ju pyeta a keni dijeni që paisja është futur në Shqipëri, po apo jo?
Çako: Hetimi qëllimin final këtu e ka, ekziston apo jo.Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka një paisje të tillë në dispozicion apo inventar.Nuk kemi pasur dhe nuk kemi në inventarin e policisë një pajisje të përgjimit të telekomunikacionit.
Noka: Pajisje përgjimi apo gjurmimi?
Çako: Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka dhe nuk ka për të pasur për sa kohë është ky legjislacion në fuqi pajisje të përgjimit telefonik.
Noka: Dhe të gjurmimit?
Çako: Policia e Shtetit ka mjete dhe metodat e veta, gjurmimi është koncept tjetër dhe përgjimi është tjetër.
Noka: Pajisje të futur në rrugë joligjore në territorin e Shqipërisë ka apo nuk ka?
Çako: Policia e Shtetit nuk ka një paisje të përgjimit telefonik.
Noka: Po konfirmoni që përgjimi dhe gjurmimi në Shqipëri bëhet mbi bazën vetëm të paisjeve të ligjshme dhe të procedurave të ligjshme.
Çako: Sigurisht.
KOHA JONË SONDAZH

