Halim Kosova: Debat me Veliajn? Nga debati kam alergji
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova e cilëson si një “humbje kohe” përballjen televizive me rivalin e mazhorancës Erion Veliaj, të kërkuar nga ky i fundit.
I ftuar në studion e Adi Krastës, Kosova tha se nuk e ka ndjekur deklaratën “sfiduese” të konkurrentit të mazhorancës dhe se “tani është koha për punë” dhe jo për “llafe bosh”.
“Ti mos e beso, por nuk e kam dëgjuar. Nga debati kam një lloj alergjie si person, s’më pëlqejnë llafet bosh. Por, mos kujto se arritjet deri tani i kam bërë pa debat. Jo se të gjithë i kam patur pro, kam debatuar për të arritur në vendimarrje. Unë jam për debate që sjellin fryte, por jo debate për të harxhuar kohë, për shaka e batuta. Është koha për punë. Listat janë të pafundme në dyqane dhe listat e biznesve janë të mëdha tek grosistët. Kjo skemë shumë shpejt do na çojë në rrënim. Shpresoj të mos e arrijmë atë ditë” tha Kosova.
Sa i përket momentit të vendimmarrjes për të kandiduar, Kosova ka rrëfyer se ka qenë kryetari Basha ai që i ka bërë propozimin, duke argumentuar se 96 për qind e strukturave ishin pro emrit të tij.
“Unë darkave shkoj tek mamaja, pasi prej tre vjetësh është e paralizuar. Një prej këtyre netëve me ra telefoni dhe e nuhata se dicka ka. Basha më kërkoi të shkoja në zyrë dhe e kuptova nga zëri që dicka të bukur kishte për të më thënë. E takova dhe ai më tha: 96% e strukturave që ne kemi pyetur janë pro kandidaturës tënde. Ka një unanimitet për tu admiruar. Unë i shtrëngova dorën dhe i thashë: Tani t’i përvishemi punës” ka rrëfyer Kosova. Sa i përket “stigmatizimeve” publike të kryeministrit Rama, Kosova tha se nuk i ka ndjekur ato, edhe pse ato i janë transmetuar nga të tjerë.
“Dikush më tha që më ka cilësuar: “I lodh”. Por, “i lodh” është diagnozë, s’mund ta përcaktojë asnjë zanat tjëtër, as piktor p.sh. Diagnoza është punë mjeku…Dhe unë me lezet kam thënë: I lodhur është kush lë zanatin herët, apo ai që merret me gjëra sipërfaqësore, por se kam fjalën me kryeministrin. Eksperienca në artin e komunikimit me të tjerët më ka mësuar: Nëse ai që ke përballë thotë dicka që ty të duket budallallëk, rri i qetë dhe respektojë mmendimin, lëre ta mbarojë deri në fund. Nëse ti nuk të pëlqen, sërish respektoje se ai ashtu e mendon” tha Kosova.