Halim Kosova: Do t’i shërbej secilit pa dallim
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët e Farkës e Petrelës ku dëgjoi shqetësimet e tyre për varfërinë, papunësinë dhe pamundësinë e tyre për të shitur produktin e tyre.
Në takimin e zhvilluar në Petrelë vijnë edhe qytetarë që kanë mbështetur Partinë Socialiste, por që deklarojnë se janë të zhgënjyer.
“Siç e dinë të gjithë këtu, unë kam qenë një socialist i tmerrshëm por e pash që çdo gjë mori shumë keq, ta themi keq fare”, shprehet një banor.
“Edhe socialistëve u ka ardhur në majë të hundës. I kane njerëzit pa punë”, thote një banor tjetër.
Në zonën e Farkës, banorët thonë se kanë nevojë për një mënyrë të organizuar për tregtimin e prodhimeve të tyre.
“Unë them që ka ardhur koha të marrë fund një herë e mirë që me dy pagure qumësht të ikësh nëpër rrugët e Tiranës e të shesësh qumësht. Ka ardhur koha që duhet me mendu që punëtorit ti krijohet një mënyrë për grumbullimin e mallit. 3 mijë lekë bën qumështi, 2 mijë lekë autobuzi, me ardh me 1 mijë lekë ke fmijët i bie”, thotë një banor.
“Bashkia të caktojë një vend të posatshëm për të shitur”, është kërkesa e një banori.
Në Lundër ankohen se prej dy vitesh nuk marrin subvencion për bujqësinë.
“Deri para dy vjetësh në bujqësi kemi marrë grande. U bënë gati 2 vjet që ne nuk po shohim më asnjë”, shprehet një banor.
Halim Kosova u angazhua se do të vërë në jetë projekte që do të bëjnë të mundur financimin e fermerëve dhe krijimin e pikave të grumbullimit ose tregjeve në Tiranë për produktin e tyre.
Kosova u tha banorëve se ai do tú shërbejë, pa asnjë dallim, sic ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, pa i pyetur njerëzit që kishin nevojë se kujt i përkisnin dhe nga vinin. Gjithashtu ai premtoi se do të ketë transparencë absolute në Bashki për fondet dhe administrimin e tyre.
“Komunikimin që kam pasur me pacientin do ta kem me qytetarin. Do të ketë një sistem të përsosur, që çdo njeri që nuk gjen një zgjidhje aty ku banon dhe ka një sugjerim të ketë mundësi të ma sjellë mua. E dyta, mënyra më transparente e mundshme e fondeve”, tha Halim Kosova.