Halim Kosova: Jam zeri dhe zgjidhja juaj
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të Laprakës dhe Njësisë 9, ndau me ta idetë e zhvillimit të qytetit e lagjeve të tyre si dhe theksoi mesazhin për rëndësinë e votës.
“Unë jam pa punë zotëri, unë jam pa punë, ku është për punën këtu? Unë jam e papunë, më vete gjuha këtu dhe më dhemb dhembi. Taksa të ulura dhe punësimi. Je plotësisht i sigurt, do ma japësh me firmë që do ti sigurosh 40 mijë vende pune?”, i drejtohet Kosovës një grua.
Kosova: Kush ka një stilokalem o vlla?
Qytetarja: Unë do e ruaj.
Kosova: Po pse ta dhashë unë që ta humbësh? Unë po ta gjej të grisur më ngelet hatri se e kam edhe me firmë.
Qytetarja: Suksese, suksese.
Kosova: Shifi të gjithë kandidaturat dhe vendos për atë që ti beson, votën mos e ço kot. Hajde mirupafshim. Se po e le në shtëpi e ke çuar kot . Hidhe diku, aty ku beson.
Në takim me banorët e Njësisë 9, Kosova ka folur për parimet e tij të qeverisjes e administrimit.
“Ato që kam vënë re unë këto ditë kanë qenë: sa më të mëdhaja hallet tuaja aq më e madhe shpresa për fitore. Jam shumë i bindur që kemi shumë për të bërë. Nuk bëhen të gjitha në një ditë por do të fillojmë në datë 22 dhe nuk do ndalojmë asnjë ditë”.
“Do fillojmë në çdo shtëpi të sjellim shpresën, të sjellim jetën, të fillojmë të ndërtojmë mirëqenien si të vetmin sekret, për të bërë më të mirën jo vetëm për lagjen tuaj por për gjithë Tiranën. Nuk ka rrugë tjetër përveçse në krye të Tiranës të ketë një menaxher, që vjen me provë në të mirë të qytetit, në të mirë të asaj që fondet që janë për ju, kurrë mos të abuzojnë por të vijnë aty ku është halli, aty ku janë nevojat, aty ku përmirësojnë diçka në qytetin tonë”, tha Halim Kosova.