Halim Kosova për arsimin premton biblioteka dixhitale, shkollat me stomatolog e psikolog
Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe kandidatët e kryeqytetit vazhdojnë takimet e tyre intensive në zona të ndryshme, për të bindur qytetarët të votojnë alternativën e tyre. Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova u ndal tek "Rruga e Durrësit" për t’u prezantuar banorëve planin e tij për arsimin në kryeqytet. – “Në 10 shkolla të reja është llogaritur të strehohen rreth 7200 nxënës, ndërsa 34 shkolla të tjera do të rikonstruktohen e do të kenë biblioteka dixhitale, ambiente për stomatologun dhe psikologun. Pra, të ndjekim disa parametra, në mënyrë që t’i kapim në kohë problemet shëndetësore ose të bëjmë të mundur parandalimin e tyre. Ne kemi llogaritur edhe një fond për trajnimin e mësuesve për ngritje profesionale. Ndërkohë, nëse përreth shkollës ka terrene ku nuk ndërtohet gjë, por ka një pronar, atëherë bashkia do t’ia blejë tokën pronarit kur ai nuk bën dot asnjë lloj aktiviteti për shumë arsye. T’ia blejë në mënyrë që të zgjerojmë mundësitë për kohën e lirë të nxënësve”, tha Kosova.
Në një takim tjetër me banorët e zonës së Kodrës së Priftit, Kosova u ndal tek projektet e infrastrukturës.
“Projekti ynë është ndërtimi i rrjetit të kanaleve të ujërave të zeza dhe kanaleve të ujërave të bardha. Është për të gjithë lagjen, jo vetëm për një rrugë. Domethënë, kur do të bëhet, do të bëhet si bllok dhe jo vetëm për një rrugë”, tha Halim Kosova.