Halim Kosova takim me shtresat në nevojë, kushtet e tyre emergjente
Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ka bashkëbiseduar mëngjesin e të shtunës me njerëz të shtresave në nevojë. Ai tha se kushtet në të cilat ndodhet sot kjo shtresë janë emergjente.
“Kur shoh një njeri në kushtet e kufizimit të jetës së përditshme, pa dyshim që do t'i afrohesh e do ta pyesësh. Po do doja në mënyrë të organizuar të mbanim shënime përkatëse dhe t’u ofroj zgjidhje reale për atë që mund të bëjmë tani, dhe në perspektivën e afërt”, tha z. Kosova.
Ai shtoi se do të gjejë një rrugë të përshtatshme që qytetarët të hyjnë në derën e bashkisë. “Dera e bashkisë do të jetë e hapur. Puna e parë që më shkon mendja: po si do futen në bashki? Se unë nuk kam parë për momentin ndonjë rrugë të përshtatshme. Shumë shpejt do të kemi zgjidhje origjinale”, vijoi z. Kosova.
Ai përmendi menaxhimin e punës së institucionit që ka drejtuar për disa vite, maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, duke u shprehur se do të ndjekë të njëjtin parim edhe në drejtimin e bashkisë.