Hapen aplikimet për punësimin e elektriçistëve në OSHEE, Balluku: Profesionistë të rinj në të gjitha drejtoritë rajonale

Një fushatë e re për punësimin e elektriçistëve pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është prezantuar sot nga Zv.kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtuesit më të lartë të OSHEE dhe OSSH.

Thirrja është e hapur prej ditës së sotme dhe fushata do të vijojë për 30 ditë, ku të gjithë të rinjtë dhe të rejat të cilët plotësojnë kriteret mund të dorëzojmë aplikimet e tyre. Në muajin tetor të vitit të kaluar, OSHEE hapi aplikimet për punësimin e 309 elektriçistëve në të gjithë vendin. Më shumë se 300 të rinj aplikuan për të qenë pjesë e kompanisë. Pas të gjithë procedurave 60 prej tyre tashmë janë punësuar pranë OSHEE.

Në thirrje e dytë e cila u hap ditën e sotme, kanë ndryshuar edhe kriteret. Ku mosha e aplikantëve shkon deri në 35-vjeç, nga 25 që ishte në aplikimin e parë. Zv/kryeministrja Belinda Balluku. Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi, njoftuan hapjen e thirrjes për aplikime gjatë një takimi me elektriçistët e rinj te OSHEE, të cilët u rekrutuan gjatë fushatës së muajit tetor.

Administratori Karakaçi tha se përmes këtij procesi synohet rivitalizimi i kompanisë dhe veçanërisht i punonjësve të terrenit. “Ne iniciuam një procedurë rekrutimi masive. Dëshira jonë ishte që të rekrutonim një numër të konsiderueshëm punonjësish të moshave të reja. E hapëm procedurën e rekrutimit deri në moshën 25 vjeç duke marrë në konsideratë moshën mesatare të punonjësve tanë të terrenit që është mbi 50 vjeç dhe dëshirën për ta rivitalizuar këtë procedurë”, tha Karakaçi.

Ministrja Balluku vlerësoi punën e bërë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku pavarësisht vështirësive të shkaktuar nga kriza energjetike, ka vijuar të përmirësojë treguesit e performancës madje duke vendosur edhe objektiva të reja për vijim e uljeve të humbjeve në rrjet.

Sa i takon aplikimeve, Balluku u shpreh e bindur se do të arrihet të plotësohen të gjitha vakancat, duke punësuar profesionistë të rinj në të gjitha drejtoritë rajonale të vendit. “Duke nisur që sot ne hapim një thirrje për vendet e punës që kanë mbetur vakante që janë rreth 240 dhe këto vende pune vakante sigurisht duhet të popullohet, por tani me një ndryshim. Kemi përthithur të gjithë deri në 25 vjeç që kishim të lirë në tregun e punës dhe që përmbushnin kushtet, kishin shkollën profesionale, kishin diplomën e duhur dhe tashmë do ta çojmë nivelin pak më lartë. E patëm thënë këtë që në krye të herës që mos na paragjykoni sepse ne do të tërheqim moshat e reja edhe më pas do të vazhdojmë edhe me mosha më të pjekura. Kështu që kjo thirrje shkon deri në moshën 35 vjeç dhe do të qëndrojë e hapur për 1 muaj”, u shpreh Balluku.

Duke shprehur mbështetjen për punonjësit e terrenit, të cilët shërbejnë në çdo cep të vendit, pavarësisht vështirësive të motit, Balluku tha se të rinjtë që i janë bashkuar OSHEE dhe do t’i bashkohen edhe në të ardhmen, do të sjellin një frymë të re, duke u gërshetuar edhe me stafet që prej vitesh shërbejnë pranë kësaj kompanie.

“Unë besoj që edhe të rinjtë që do vijnë do të kenë mundësinë që të sjellin me vete një frymë të re. Një frymë të re pasi OSHEE është një ndërmarrje e cila rigjenerohet qoftë nga idetë, qoftë nga produktet, qoftë nga reformat edhe nga stafi dhe i kemi parë frytet e para të një reforme të thellë që kemi nisur në fillim të vitit të kaluar dhe padyshim do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Ky është një vit ku parashikohen shumë investime”, tha Balluku. Për t’u bërë pjesë e kësaj fushate rekrutimi të gjithë të interesuarit mund të paraqesin aplikimet e tyre përmes adresës së email dbnj@oshee.al.

SHKARKO APP