Hapja e dosjeve, në shttator Kuvendi voton ngritjen e Autoritetit
Autoriteti që do të mbikqyrë procesin e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit do të ngrihet nga Kuvendi në sesionin e ardhshëm parlamentar. Autoriteti që përbëhet nga 4 anëtarë mund të votohet në muajin shtator, periudhë kur Kuvendi do të nis punën pas pushimeve verore.
Deputetja socialiste Vasilika Hysi sqaron procesin që do të nisë me ngritjen e Autoritetit dhe që do të vijojë me hapjen e dosjeve, ku Shqipëria renditet në vendin e fundit nga ish-vendet e bllokut komunist në këtë proces.
“Sipas ligjit janë katër anëtarë të cilët do të përzgjidhen në këtë rast nga Kuvendi, dy do të jenë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, një do të vijë nga organizatat e te drejtave të njeriut dhe një nga shoqatat e të përndjekurve politikë”, u shpreh deputetja Vasilika Hysi.
Sipas deputetes socialiste, kandidatët për anëtarë do t’i nënshtrohen një konkursi publik e më pas të përzgjedhurit do të votohen në parlament.
“Stafi i kuvendit do të njoftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për listën e personave të cilët janë vetëofruar për të konkurruar dhe njëkohësisht më pas do të ketë dhe një dëgjesë publike me të gjithë kandidatët. Pasi bëhet dëgjesa e të gjithë kandidatëve personat që të shkojnë për miratim në seancë plenare duhet të marrin së paku firmën e 28 deputetëve por kjo procedurë nuk e pengon që një kandidat me firmën e 28 deputetëve ti nënshtrohet ose ti futet konkurrimit”, tha Hysi.
Të preferuar për të qenë pjesë e Autoritetit janë ata që kanë eksperiencë në fushën e arkivave, historisë, sigurisë kombëtare dhe që kanë njohuri të dokumentuara mbi punën dhe metodat e ndjekura nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Nga data 24 korrik deri në datën 22 gusht te interesuarit do të kenë mundësi të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm :
• Kërkesë për shprehje interesi për të kandiduar për vendin vakant të shpallur
• CV-në
• Librezë e punës.
• Diplomë që provon se ka mbaruar arsimin e lartë, diplomë “Master shkencor” ose tituj të ekuivalentuar me të.
• Vertetim të gjëndjes gjyqësore që nuk ka qënë i dënuar penalisht.
• Deklaratë që kandidati nuk është anëtar i partive politike.
• Deklaratë që kandidati nuk është në konflikt interesi.
• Deklaratë që kandidati nuk ka mbajtur asnjë prej detyrave apo cilësive, të përcaktuara në nenin 9, pika 1, gërma ‘ë’ e ligjit nr 45/2015 datë 30.04.2015 “Për informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Pak muaj më parë Kuvendi vendosi miratimin e ligjit mbi hapjen e dosjeve, ndërsa ligji i miratuar është bazuar në praktikën e ndjekur nga Gjermania.
KOHA JONË SONDAZH

