Hapja e dosjeve, pr/ligji debatohet në Komisionin e Sigurisë

Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare po debaton sot në parim dy nismat ligjore ‘Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit’, të propozuara nga qeveria dhe nga shoqëria civile. mbështetur dhe nga deputetët Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).

Fillimisht, deputetët u njohën me nismën e shoqërisë civile, e prezantuar nga deputetja Doda. Më pas mbledhja po vijon me debate mes deputetëve të të dyja palëve në komision.

Një javë më parë komisioni i Ligjeve miratoi draftin e propozuar nga qeveria, ndërsa rrëzoi nismën ligjore të shoqërisë civile. Sipas mazhorancës, projektligji i paraqitur nga dy deputetët ka përplasje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2009 dhe për rrjedhojë nevojiten disa ndryshime.

Drafti i qeverisë parashikon që procesi i hapjes së dosjeve të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.

Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.

Ndërsa nisma e shoqërisë civile përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.

SHKARKO APP